Libri i ri Helena Kadaresë:
Ankthi i Kadareve, deri në momentin e ngritjes së avionit, se Sigurimi do i ndalonte. Si u morën në mbrojtje nga policia sekrete franceze. Bastisja e shtëpisë në Tiranë dhe çfarë kishte harruar aty Kadare, që nga filmimet private të kohës së Moskës, deri te dorëshkrimi i “Qyteti pa reklama”
Në një pjesë të shkëputur nga kujtimet e gruas së shkrimtarit Ismail Kadare zbardhen detaje të udhëtimit të familjes në Paris dhe si u mor vendimi për të kërkuar azil. Libri përshkruan gjendjen e ankthit para nisjes, si u shty shpallja e arratisjes deri pas vizitës së presidentit Alia në SHBA. Ndërkohë zbulohen edhe detaje të tjera personale të “frikave” pas largimit, se Sigurimi mund të përdorte regjistrime që Kadare kishte bërë në Moskë për ta paraqitur atë si të “degjeneruar”.
Dorëshkrime, letra, fotografi, kujtime të familjes, që i kishim bërë gati, nuk i hoqëm nga valixhet. Në qoftë se do vendosnim të ktheheshim do t'i risillnim siç i çuam. Gjithçka do ta vendosnim në Paris, në varësi nga "udhëtimi tjetër". Ja si e kam përshkruar më pas në ditarin tim këtë çast dramatik:
"27 shtator 1990
Aeroporti i Rinasit. Qysh prej katër muajsh e kishim parafytyruar sesi do të ishte ky moment i jashtëzakonshëm. Madje edhe në ëndrrat tona plot makth e kishim jetuar kaq herë këtë çast. Në shëtitjet e mbrëmjes, në parkun para shtëpisë sonë. Dhe ja tani, Is dhe unë rrinim ulur në sallën e transitit, duke parë të çuditur atë bagazh enorme, që tani na dukej aq absurd për gjithçka mbante me vete: ikona, makina e shkrimit, dosje, dorëshkrime, libra, tablo, foto, korrespondencë, letra e Dardhës (R. Alisë),veshje dimri dhe vere (do shkojmë në Norvegji, atje bën aq ftohtë!, Fayard do të botojë veprën komplet të Is, duhen aq shumë dorëshkrime etj. etj.).
Në anën tjetër pas banakut prisnin të ngrira fytyrat e Bertit (vëllait) Nandit... Në rrëmujën e përgjithshme nuk arritëm as t’u jepnim dorën. Unë u shkrova një biletë lamtumire dhe ia dhashë kamerierit. Ata na e bëjnë me dorë. Ndiej një lloj trishtimi që mundohem ta fsheh. Përfaqësuesi i ambasadës franceze na uron rrugë të mbarë.
Deri në çastin e fundit mendoja se diçka mund të ndodhte dhe do të vinin të na zbrisnin nga avioni. Dy persona të Sigurimit afrohen tek Is. Unë mbaj frymën. Pas pak Is më afrohet duke qeshur. “Ishin dy të drejtorisë së pritjes, më thotë. Si përherë dërgohen pako me ushqime për VIP-at”.
Kaluam kontrollin e pasaportave. U gjendëm në sallën e udhëtarëve që do nisen. Të gjithë shqiptarët që udhëtonin e njihnin mirë ankthin e kësaj salle. Sa herë kishte qëlluar që njerëzit e Sigurimit hynin në çastin e fundit, për të marrë me vete ndonjërin prej udhëtarëve. Madje, në raste të tjera, kishte ndodhur që udhëtarin e kishin zbritur nga avioni vetëm disa minuta para nisjes. (Më vonë, mikesha ime e re Edira Merlika, që e kishte kaluar tërë jetën e saj në internim në një fshat të Lushnjës, për shkak të gjyshit të saj të shquar Mustafa Merlika, më tregonte të njëjtat ndinjime, kur ajo me gjyshen e saj kishin kaluar pragun e kufirit ndarës, pasi kishin arritur të merrnin më në fund pasaportat, për t’u nisur te të afërmit e tyre në Itali. Gjyshja deri në çastin e fundit dridhej se nuk besonte se do t’i linin të niseshin. Madje, në Itali, kur ecnin të dyja dhe para u dilte ndonjë polic, gjyshja zbehej dhe i shtrëngonte fort dorën mbesës 12-vjeçare, nga frika se mos ata vinin për t’i kthyer në Shqipëri!)
Po vazhdoj me ditarin: “Ngjisim shkallët e avionit. Ulemi. Jemi të qetë, në mënyrë të pandërgjegjshme, si në një ëndërr ku gjërat lëvizin ngadalë, si në vakum bosh, pa ajër. Asnjë emocion. Avioni shkëputet nga pista. Përsëris me vete: lamtumirë Shqipëri. Dhëntë Zoti që kur të kthehemi përsëri të jesh e lirë. Në Bari duke ecur në pistën e betonuar drejt sallës së transitit Is më thotë: Beka, tani jemi të arratisur!”
Avioni u nis më në fund, ai mori drejtimin drejt detit dhe pas pak u gjend sipër Adriatikut.
Në Paris mbërritëm në mbrëmje. Në aeroport na priste Claude-i bashkë me Carmen-in, si dhe miku ynë i përbashkët YvesMabin, nga Ministria e Jashtme. Gjatë kohës që po ecnim drejt Parisit, Is u kërkoi atyre që të vazhdonin ta mbanin sekret çështjen e arratisjes, për shkak të udhëtimit të Presidentit shqiptar për në SHBA. Claude-it, që ishte tashmë i njohur imtësisht me punët e Shqipërisë, iu duk e logjikshme pritja e rezultatit të vizitës së Presidentit. Ata kujtuan letrën që një vit më parë kishin shkruar së bashku për presidentin Bush dhe të dy besonin se ndoshta ajo e kishte luajtur rolin e vet. Në Derby Hotel na prisnin vajzat...
Të nesërmen, më 24 tetor, ishte një ditë nga ato që quhen të ethshme. Qysh në mëngjes Claude Durand-i njoftoi Jacques Attali-në dhe Erik Orsenna-në (njëri në Presidencë dhe tjetri në Ministrinë e Jashtme) se I.K. do të shpallte kërkimin e azilit politik. Në orën 11.00 bashkë me vajzat shkuam në Ministrinë e Jashtme, ku na priste Erik Orsenna, shkrimtar, mik i Is dhe zyrtar i ministrisë. Ndërsa Is e priti në takim ministri i Jashtëm, Roland Dumas, unë bashkë me vajzat u gjendëm në një zyrë aty pranë me zyrtarë të policisë, që kishin ardhur enkas, me të gjitha mjetet e duhura: formularë, karta identiteti, pasaporta, vula etj., për të na përgatitur aty për aty dokumentet. Një makinë policie me sirenë çau rrugën për të na çuar deri në prefekturë për të bërë fotografitë. Ishte një ditë e ngrohtë vjeshte, nga ato që parizianët i quajnë “1’ete indienne”... Pesha e rëndë që kishte filluar të më shtypte qysh pas telefonimit të fundit me të mitë, atje në Tiranën e largët, tani po rritej në çdo çast, duke marrë frikshëm përmasa të padurueshme. O Perëndi, mendoja, me se do ta mbush këtë zbrazëti? Si kanë për të qenë tani ditët, orët, gjithë ajo jetë e panjohur që na pret përpara?
Kur ne u kthyem, Is ishte ende te ministri i Jashtëm, Dumas. Kur doli ishte me fytyrë të menduar, por nuk ma tha shkakun. Disa ditë më pas, më pohoi se ministri i Jashtëm e kishte mërzitur në një farë mënyre lidhur me gjendjen në Ballkan. Pothuajse nuk e njihte, ose e njihte në mënyrë të gabuar.
Në orën 1 u kthyem në hotel të pajisur me të gjitha dokumentet. Is shkoi në kafenenë La terrasse ku e prisnin dy gazetarë të Le Monde-it, njëri prej të cilëve, nëse kujtesa s’më gabon, ishte Shnejdernman. Emrin e tjetrit s’e sjell dot ndër mend. Atje Is do të jepte intervistën e parë ekskluzive, që shpallte ikjen e tij nga Shqipëria.
Në orën dy e gjysmë ai u kthye i lodhur në hotel. Pas një dreke të shpejtë diku aty afër, ai u nis menjëherë në Fayard, për t’i dorëzuar Claude Durand-it deklaratën e tij të azilit politik dhe letrën e fundit që i drejtonte presidentit Ramiz Alia, duke i kërkuar praktikisht heqjen dorë nga pushteti të atij vetë dhe të klanit të vet politik.
Ne bëmë shkëputjen nga hoteli në orën katër e gjysmë, nën sytë e habitur pak, por shumë të mallëngjyer të Micheles-së, vajzës tepër të dashur dhe gazmore, që priste e përcillte klientët. (Më pas, kur jemi takuar, ajo më ka treguar se qysh disa ditë përpara se ne të largoheshim prej andej, policia e fshehtë franceze kishte kërkuar prej hotelit informacion të ngutshëm për çdo shenjë që tregonte se dikush mund të pyeste apo të interesohej për ne. Sipas saj, kjo kishte qenë një mbrojtje e parë, madje përpara se kërkimi i azilit të merrej vesh publikisht.)
Pas mesnate Is u zgjua papritur. Nuk e di si e ndjeva, por edhe mua më doli gjumi fill pas tij. Kur ndezi abazhurin, pashë se fytyrën e kishte të ngrysur. E di çfarë? më tha. Është e tmerrshme. E di ç'kemi harruar? Nuk do të doja të dëgjoja më asgjë. Ishte fjala, me siguri, për harresat që kishim bërë gjatë përgatitjes së bagazheve në Tiranë.
Ashtu ishte vërtet. Kishim harruar dorëshkrimin e romanit “Qyteti pa reklama”, si dhe filmimet e Moskës dhe ato që kishim bërë bashkë në Tiranë, në periudhën e parë kur sapo ishim njohur.
Donim ta ngushëllonim veten se ndoshta do t'i gjenim një ditë kur të ktheheshim... Is i dukej tragjike humbja e romanit. Filloi të shante veten: idiot, vajte shkrove një libër të tërë për humbjen e dramave antike dhe e braktise pastaj romanin tënd. Filmat gjithashtu na dhimbseshin.
Në njërin prej tyre ai më kishte xhiruar në kopshtin e Lidhjes së Shkrimtareve (ish-shtëpia e Musa Jukës), javën e parë ose të dytë të njohjes sonë, studente e vitit të parë të fakultetit, akoma me një gërshet të gjatë.
Filmat e tij të Moskës mund t'i shfrytëzonin për të ushqyer thashethemen se Is ishte pa moral. Kishte në ta xhirime të lirshme, ato që, sipas mendjes komuniste, mund të quheshin "të degjeneruara”. Për fat të mirë, mua s'kishte mundur të më xhironte ashtu, ngaqë e
kishte shitur aparatin para ikjes në Finlandë. Por ky ngushëllim ishte vetëm për mua e jo për të.