Libri i ri i Shaban Muratit
Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës
Diplomati, analisti dhe studiuesi i njohur i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shaban Murati, nxori këto ditë në qarkullim librin e tij të ri "Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës".
Në qendër të këtij studimi janë drejtimet dhe prioritetet e reja, që kanë dalë në çështjen shqiptare pas pavarësisë së Kosovës, pra pas zgjidhjes së problemit të Kosovës, një nga përbërësit më të rëndësishëm deri tani të çështjes shqiptare.
Duke e zbërthyer dhe trajtuar zhvillimet dhe problemet në aspektin diplomatik, autori hulumton në sfidat e reja, që dalin para kombit shqiptar, pas ngjarjes së madhe të pavarësimit të Kosovës.
Një trajtim interesant është ai i dilemës së madhe dhe të re se kush do të emërtohet dhe kush do ta marrë tani rolin e "shtetit amë" në sytë e diasporës së madhe shqiptare nëpër botë dhe sidomos të popullsive shqiptare, që jetojnë në disa shtete ballkanike. Në libër do të gjeni përgjigjen se a do të jetë "shteti amë" Shqipëria apo Kosova.
Një vështrim interesant është ai i formës dhe i përmbajtjes, që fitojnë tani në planin shtetëror dhe kombëtar marrëdhëniet mes shtetit të Shqipërisë dhe shtetit të Kosovës. Specifika juridike e marrëdhënieve mes dy shteteve vendoset në një kuadër historik e perspektiv, dhe në dritën e marrjes në konsideratë të specifikave rajonale dhe të proceseve integruese euroatlantike.
Cilësitë e reja dhe forca e re e faktorit diplomatik shqiptar në Ballkan pas krijimit të shtetit të Kosovës dhe aftësitë që duhen treguar për të përballuar kërcënimet rajonale dhe sfidat ndërkombëtare në përputhje me interesat shtetërore dhe kombëtare, janë një objekt tjetër i analizës së autorit.
I mbështetur në kompetencën e një eksperti të afirmuar të çështjeve ndërkombëtare dhe në përvojën e pasur dhe të gjatë diplomatike të autorit, libri "Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës" vjen në momentin e duhur, si një nevojë për diplomatët, politikanët, për studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe për rrethin e gjerë të lexuesve, për të cilët çështja shqiptare është pjesë e interesit intelektual dhe kombëtar.