Mbyllen hetimet për tutorin, shfrytëzoi fieraken 5 vjet
DOSJA/ Hysni Sokolaj akuzohet se ka shfrytëzuar një shtetase si prostitutë dhe e ka detyruar të abortojë katër herë
TIRANË- Mbyllen hetimet për Hysni Sokolaj, i akuzuar se ka shfrytëzuar si prostitutë për pesë vjet një shtetase nga Fieri. Sipas kërkesës për gjykim, i pandehuri Sokolaj ka konsumuar veprën penale të "trafikimit të femrave për prostitucion". Për të vërtetuar akuzat e ngritur ndaj tropojanit, prokuroria ka siguruar rreth 8 dëshmitarë dhe deklarimin e viktimës së këtij trafiku.
"Gjatë hetimit disamujor është provuar se i pandehuri Hysni Sokolaj në fillim të vitit 2001 është njohur me shtetasen E.V. me të cilën kanë krijuar një lidhje dashurie, edhe pse i pandehuri ishte i martuar. Aty nga mesi i muajt korrik 2001 "çifti i dashuruar" vendos të ikë jashtë Shqipërisë drejt Anglisë për një jetë më të mirë.
Ka qenë data 16 korrik 2001 kur i pandehuri Sokolaj bashkë me viktimën me anë të një gomoneje janë nisur nga Vlora në Itali, ku fillimisht janë vendosur në qytetin e Leçes, më pas kanë kaluar në Francë, duke qëndruar vetëm disa orë, për të vijuar në Belgjikë, në qytetin e Anversës. Në këtë qytet janë sistemuar tek një i afërm i të pandehurit. Ky i fundit e ka detyruar fieraken të dalë të punojë në rrugë si prostitutë", thuhet në kërkesën për gjykim.
Fillimisht viktima nuk ka pranuar, por, pas ushtrimit të dhunës fizike (sipas kallëzimit, është rrahur me rrip pantallonash, sende të forta dhe duke ia shpuar trupin me majën e thikës) nuk ka pasur tjetër zgjidhje dhe është shfrytëzuar për dy muaj në këtë qytet. Më pas i pandehuri Sokolaj i ka siguruar një pasaportë të falsifikuar greke, me të cilën ka kaluar në Angli, ku është arrestuar për shkak se kishin zbuluar se dokumenti ishte fals.
"Policia pas arrestimit e ka sistemuar vajzën nga Fieri në një kamp, ku një i afërm i të pandehurit ka shkuar dhe e ka marrë për ta vendosur në një apartament në qytetin Leëishan, 200 km larg Londrës.
Në këtë qytet, konkretisht në vendet e njohura si "459 Hajstrit North Manor Park", si dhe "2 Rixen Road Park", ajo është urdhëruar të prostituojë nga ora 11:00 deri në 24:00 të darkës në një banesë që përdorej vetëm për këtë qëllim", thuhet në dosje. Për çdo ditë vajza kishte rreth 20 klientë, duke i siguruar të pandehurit nga 400 - 500 paund çdo natë. Këtë punë viktima e ka kryer për rreth pesë vite.
Gjatë kësaj kohe, ajo ka ngelur edhe katër herë shtatzënë, ku nga presioni dhe dhuna e të pandehurit është detyruar të abortojë. Në dy raste ka abortuar nën emrin e të afërmeve të të pandehurit dhe në dy raste me emrin e saj.
"Në fillim të vitit 2006 policia londineze ka kryer arrestimin e saj dhe është deportuar në Shqipëri më 8 qershor 2006, ku dhe ka bërë kallëzim ndaj shtetasit Hysni Sokolaj",- thuhet në kërkesën për gjykim, që tashmë ndodhet në duart e gjyqtarëve të Gjykatës së Krimeve të Rënda, të cilët pritet të caktojnë datën e seancës së parë gjyqësore.
Sokolaj hetohet në gjendje të lirë
TIRANË- Me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, togat e zeza më datë 16 shkurt 2008 kanë vendosur caktimin e masës së sigurisë personale "arrest me burg" në mungesë për të pandehurin Hysni Sokolaj.
Më datë 25 shkurt 2008 kjo masë sigurie është ekzekutuar, duke e arrestuar të pandehurin nga Tropoja. Gjithashtu, kjo masë ka mbetur në fuqi edhe në Gjykatën e Apelit.
Por, me datë 21 maj 2008 kanë qenë togat e zeza të Gjykatës së Lartë, që kanë vendosur prishjen e vendimeve të dy shkallëve të gjyqësorit, duke urdhëruar lirimin e të pandehurit Sokolaj, që u hetua e do të gjykohet në liri.
Viktima ka kërkuar dëmshpërblim për punën
TIRANË - "Hysni Sokolaj ka rekrutuar, transportuar e transferuar për në Angli shtetasen E.V. nëpërmjet mashtrimit dhe më pas e ka keqtrajtuar dhe dhunuar duke e detyruar të abortojë dhe të ushtrojë prostitucion për rreth pesë vjet dhe për kryerjen e kësaj vepre penale ai është marrë i pandehur", thuhet në dosje.
Më datë 1 shkurt 2008, pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e dëmtuara ka dorëzuar edhe një padi civile ndaj të pandehurit Hysni Sokolaj, ku i kërkon dëmshpërblimin e shfrytëzimit të saj, duke u legjitimuar si palë.