Pogradec, Rama, kritika Berishës dhe Metës
"Ish-kryeministra ua kërkojnë votën e vetme që keni, për të qëndruar në opozitën e opozitës, për një deputet të vetëm"
POGRADEC- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka shigjetuar dje Kryeministrin Sali Berisha, por edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Në qytetin e Pogradecit, kreu i opozitës ka premtuar se do të jetë Kryeministër ndryshe nga këto 18 vjet, duke qeverisur për njerëzit dhe me njerëzit. "Sali Berisha ua kërkon votën e vetme që keni, pasi ka një biznes për të mbajtur me qeverinë.
Të tjerë ish- kryeministra ua kërkojnë votën e vetme që keni, për të qëndruar në opozitën e opozitës, për një deputet të vetëm, që ta nxjerrë pastaj mandatin e marrë nga ju, në pazarin e vjetër të numrave dhe interesave personale, për të mbajtur peng qeverinë tuaj edhe 4 vite të tjera, si këto 18 vjet, në duart e një grushti kryetarësh, që bashkë me një grusht shërbëtorësh kanë vetëm në themel interesin e oborreve të tyre familjare dhe klanore, me kurrizin e kthyer nga ju.
Kurse unë ua kërkoj votën për programin e ri për Shqipërinë, që shkruam së bashku dhe për skuadrën e re të Partisë Socialiste, e cila do të garantojë programin tonë",- tha Rama.
Kryetari i opozitës shtoi se ai do të jetë Kryeministri që, bashkë me qytetarët, do t'u japë zgjidhje të reja problemeve të vjetra. "Karrigia e deputetit pas 28 qershorit, do t'i duhet atij, Sali Berishës, që të ulet kur të jetë në opozitë.
Ndërsa mua nuk më duhet një tjetër karrige, por një tjetër mandat për të qenë në këmbë, në krye të punëve, në çdo qytet e në çdo fshat ku do ta çoj qeverinë pas 28 qershorit, për të realizuar programin që realizuam së bashku dhe për të ndërtuar së bashku Shqipërinë si gjithë Evropa.
Vota e 28 qershorit është një votë më e rëndë se sa asnjëherë tjetër në historinë e këtyre viteve. Është një votë që peshon më shumë se kurdoherë tjetër, sepse ka peshën e barrës së madhe që kemi përsipër, për të bërë Shqipërinë si gjithë Evropa.
Këtë barrë ju mund ta ngarkoni vetëm mbi supet e Partisë Socialiste, duke e shtatëfishuar fuqinë e votës suaj për deputetët e Partisë Socialiste",- tha Rama