E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri me dedikim, dëshmia e dashurisë së Hoxhës për italianen Aurelia

SHKRUAN: Aida Tuci 28-10-2011 12:36

Aldo Terrusi rikthehet sërish në Shqipëri pas 18 vjetësh për të rrëfyer historinë e një dashurie që u kthye në urrejtje, e cila u përmbush me hakmarrje. Kjo është biografia e familjes së autorit të librit “Kthim në vendin e shqiponjave”, që u prezantua dje në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë

Aldo Terrusi rikthehet sërish në Shqipëri pas 18 vjetësh. Në ‘93-shin erdhi së bashku me dajën Xhakomo Pozeli (Giacomo Poselli), ish-portierin e shquar të skuadrës së “Flamurtarit” dhe të përfaqësueses shqiptare, fituese e Ballkaniadës së vitit 1946, për të gjetur eshtrat e të atit, i cili kishte vdekur në burgun famëkeq të Burrelit në vitin 1952. Duke udhëtuar nga Tirana në Vlorë e më pas në Burrel, ai gjeti copëza historie të rrëfyera prej miqve, kolegëve dhe bashkëvuajtësve të të atit, Xhuzepe Terrusi. Kështu ai njohu babain dhe historinë e trishtueshme të nënës së tij Aurelia, bukuria e së cilës i solli fatkeqësinë më të madhe të jetës, vdekjen e bashkëshortit Xhuzepe Terrusi në burgjet komuniste shqiptare. Një dashuri që u kthye në urrejtje, e cila u përmbush me hakmarrje, është biografia e familjes së Aldo Terrusit në librin “Kthim në vendin e shqiponjave”, që u prezantua dje në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Libri u prezantua në gjuhën italiane, por së shpejti ai do të vijë edhe në gjuhën shqipe.

Historia e familjes së Terrusit është ajo e një prej atyre familjeve italiane, që në kërkim të një jete më të mirë emigruan nga vendi i tyre në mesin e dytë të shekullit XIX, drejt vendeve të ndryshme. Pas një itinerari të pasur, paraardhës të kësaj familjeje mbërrijnë në Shqipëri. Xhuzepe, babai i Aldos do të bëhej një personazh i njohur në fushën bankare, kryesisht në jug të vendit, si në Gjirokastër dhe në Vlorë, ku do të ushtronte funksionet respektive të zv/drejtorit të Bankës Italo-Shqiptare dhe të drejtorit të saj për degën e Vlorës. Në këtë rrugëtim, fati dhe origjina i bashkoi prindërit e Terrusit, Xhuzepen dhe Aurelian. Por para se të njihej me bashkëkombësin e saj Xhuzepe, Aurelia, vajza e bukur italiane, kur ishte vetëm 17 vjeç njihet dhe krijon miqësi me një djalë të ri që ishte komshiu i saj në Gjirokastër, aty ku familja e saj u vendos gjatë luftës italo-greke. Ky djalosh i ri vetëm 22 vjeç, me emrin Enver Hoxha, do të mrekullohej nga bukuria e fqinjës së re italiane me emrin Aurelia. Pikërisht këtu e kanë gjenezën vuajtja dhe fatkeqësitë në familjen e autorit të librit, Aldo Terrusi. Ndërkohë që udhëheqësi i ardhshëm i Shqipërisë komuniste, në atë kohë 22 vjeç, studionte në Paris, vazhdonte të ushqente simpati për bukuroshen italiane. Nga kryeqyteti francez, ai i dërgonte përkushtime përmes së motrës, 17-vjeçares, por merrte vetëm kundërshtimin nga ana e saj. Ishte viti 1930. Në vitin 1936, Aurelia njihet me Xhuzepe Terrusin, i cili do të bëhej dhe bashkëshorti i saj. Të dy do të kalojnë disa vjet në Vlorë, ku Xhuzepe ishte emëruar në krye të Bankës Italo-Shqiptare, që ishte vendosur në godinën e Bankës së sotme Tregtare në ‘Sheshin e Flamurit’, ku edhe banonin. Pikërisht në banesën e tyre në Vlorë do të lindte edhe Aldo Terrusi, i cili në pasaportën e tij ka vendin e lindjes, Vlorën. Fatkeqësia e kësaj familjeje nis kur pushtetin e marrin komunistët. Xhuzepe Terrusi arrestohet dhe burgoset fillimisht në burgun e Vlorës, për t’u transferuar më pas në atë të Burrelit, ku dhe vdes më 3 mars të vitit 1952, në rrethana që kanë mbetur ende mister. Ai ishte 52 vjeç. Ende dhe sot i biri, Aldo Terrusi kërkon eshtrat e të atit. “Nuk do të resht së kërkuari eshtrat e tim eti. Dua që të paktën babai dhe nëna ime të jenë pranë njëri-tjetrit në botën tjetër”, - shpreh pikëllimin e tij në intervistën për Mapon, autorit Aldo Terrusi.

Si e ka njohur të riun Enver Hoxha, nëna juaj? Çfarë ju tregonte për të?

Mamaja ime nuk ka dashur kurrë të më tregojë historinë e jetës së saj. Gjithçka që unë kam mësuar për të kaluarën e familjes sime ma kanë treguar gjyshërit dhe daja im, Xhakomo Pozeli. Ajo(nëna) kurrë nuk ka dashur të flasë për këtë, sepse për të ishte shumë e tmerrshme ajo histori. Kishte humbur bashkëshortin, dashurinë e vetme të jetës. Kur erdha në Shqipëri në vitin 1993 për të kërkuar eshtrat e tim eti dhe për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me të, ajo gati-gati refuzonte të dinte se çfarë kisha zbuluar në Shqipëri. Ajo nuk reagonte kur unë i rrëfeja. Ishte shumë, shumë e dhimbshme për të. Prandaj e vetmja gjë që më ka mbetur prej saj si relike e së kaluarës është një libër që Enver Hoxha ia kishte dhuruar mamasë sime gjatë kohës që ajo jetonte në Gjirokastër. Libri ka një dedikim, ku Enver Hoxha shkruan: “Në kujtim të miqësisë”. Është një libër që Hoxha ia dhuroi nënës sime pas kthimit nga Parisi, në vitin 1930. Libri titullohej “100 pamje nga Parisi”.

Vetëm ky libër ka mbetur si dëshmi e miqësisë mes tyre?

Janë dhe disa mesazhe që Enver Hoxha ia dërgonte nënës sime përmes motrës së tij, ku kjo e fundit ia delegonte motrës së vogël të nënës sime. Kjo ishte rruga e komunikimit mes tyre.

Këto ishin mesazhe të shkruara, apo transmetoheshin gojë më gojë?

Ishin mesazhe të shkruara në copa letre. Kaq di unë, sepse në fakt asnjë nga ato copa letrash nuk janë ruajtur. Nga të afërmit e mi kam mësuar se ajo i ka grisur që të gjitha për arsyet e saj. E vetmja gjë që ajo ka ruajtur është pikërisht ky libër, që gjithsesi është një kujtim.

Ishin mesazhe dashurie?

Ishin mesazhe, ku Enver Hoxha i kërkonte takim nënës sime. Me sa më kanë treguar gjyshërit, tezja dhe daja, Hoxha kishte kërkuar të fejohej me nënën time dhe këtë ua kishte shprehur edhe familjarëve të tij. Por kur ai u kthye nga Parisi dhe i rrëfente mamasë sime (fqinjës Aurelia), idetë e tij që ishin vite drite larg nga ato që kishte nëna ime, miqësia e tyre me sa duket u prish.

Çfarë moshe ka pasur nëna juaj në periudhën që po flasim?

Nëna ime ka qenë 17 vjeçe, kurse Enver Hoxha 22 vjeç, çka mund të kuptohet edhe dëshira e këtij djaloshi të ri, i cili kërkonte miqësinë dhe afrimitetin me një vajzë të re dhe të bukur. Është normale një gjë e tillë. Është e qartë se kur idetë politike u bënë shumë të forta tek Enveri, nuk mund të kishte më miqësi mes tyre.

Këto letërkëmbime mes Enver Hoxhës dhe nënës suaj, në çfarë viti kanë ndodhur dhe ku?

Në Gjirokastër, ku ajo jetonte me familjen e saj. Nuk e kishte njohur akoma babanë tim. Bëhet fjalë rreth viteve 1927-1930. Libri ku Enveri shkruan “Në kujtim të miqësisë” mban si datë vitin 1930. Në vitin 1936, nëna imë u martua me Xhuzepe Terrusin, babanë tim dhe ka jetuar në Vlorë, aty ku kam lindur edhe unë. Këto që unë tregoj, kanë ndodhur shumë kohë para se nëna ime të njihte babanë tim.

Çfarë përfaqësonte për nënën tuaj ky libër, që ajo e ka ruajtur si të vetmin kujtim nga komshiu Enver Hoxha?

Ai libër, me siguri që është dëshmia e një miqësie e cila ka përfunduar.

Si e përshkruante nëna juaj Enver Hoxhën?

Ka ndodhur vetëm një herë, kur ajo shumë shkurt dhe në pak sekonda më bëri një përshkrim të tij: “Ishte një djalë i bukur dhe simpatik”.

Mamaja juaj është martuar më pas vdekjes së babait Xhuzepe Terrusi në burgun e Burrelit?

Jo, absolutisht. Nëna ime nuk u martua kurrë më, mbeti vejushe deri në fund të jetës. Por ju siguroj se ajo ishte një grua shumë e bukur dhe që ka pasur shumë që e kanë dashur në krah, por dashuria për babain tim ishte absolute, ishte një dashuri ideale.

Një telegram njoftonte Aurelian për vdekjen e bashkëshortit

Aldo Terrusi ka qenë i vogël kur ai bashkë me nënën u deportuan në Itali. Pas arrestimit të të atit nga forcat nacional-çlirimtare, të cilat një ditë hynë në bankën ku punonte i ati dhe e arrestuan në emër të popullit, hera e fundit që ai pa të atin ishte kur e transferuan nga burgu i Vlorës për në Burrel. Aldo Terrusi në atë kohë ishte vetëm 4 vjeç. Por e mban mend ditën kur e lajmëruan për vdekjen e të atit. “Gjithmonë shpresonim se babai do të kthehej një ditë në shtëpi. Mamaja ime shpresonte shumë, daja po ashtu, por një ditë në derë troket tezja, motra e vogël e nënës sime, e cila mbante një telegram në dorë. Ai telegram ishte i kobshëm për nënën time, e cila shpërtheu në vaj. Babai im Xhuzepe Terrusi kishte vdekur në Shqipëri në burgun e Burrelit”, - tregon Aldo Terrusi.

Eshtrat e babait, të humbura në Shqipëri

Qëllimi kryesor i Aldo Terrusit në vizitën e parë në Shqipëri në vitin 1993 ishte të gjente eshtrat e të atit, që kishin mbetur në Shqipëri. Nga dëshmitë që ka mbledhur në udhëtimin e parë në vitin 1993, mësoi nga dy bashkëvuajtës që kishin qenë në një qeli me të atin, se ai ishte varrosur pranë një qershie në një nga kthinat e burgut të Burrelit. U nis drejt Burrelit me shpresën se do të gjente eshtrat e të atit. Por qershia nuk ishte më dhe vendi që mbanin mend dy dëshmitarët nuk ishte më si atëherë në vitin 1952, kur i ati gjeti vdekjen.

Arrestimi dhe momentet e fundit të Xhuzepe Terrusit në Burrel...

Mandati i arrestit mbante firmën e Enver Hoxhës. Dy partizanë të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare hyjnë në bankë dhe i vënë prangat drejtorit të Bankës Italio-Shqiptare në Vlorë, Xhuzepe Terrusi, duke e akuzuar si fashist. E dërguan fillimisht në burgun e Vlorës e më pas në Burrel. “Na jepnin për të ngrënë një herë në ditë pak fasule dhe një patate, aq sa edhe sot më del gjak nga ulcera”, - i tregonte Engjëll Kokoshi (sot nuk jeton më), i cili e kishte njohur babanë e tij në burgun e Burrelit. Një tjetër dëshmitar që ka qenë pranë Xhuzepe Terrusit kur ka dhënë shpirt është Petrit Velaj (i cili jeton edhe sot). Kam qenë një mik i vërtetë për babain tënd. Unë isha vetë 21 vjeç kur më dënuan me vdekje dhe për 77 ditë më kanë lidhur duar dhe këmbe. Tri herë më detyruan të hapja varrin tim. Kur më kthyen dënimin me vdekje, në burgim të përjetshëm mora vesh dhe vdekjen e babit tënd. Më kujtohet se dy ditë përpara se të vdiste e kishin çuar në qelinë numër 9, që ishte qelia e vdekjes. Në momentet e fundit të jetës filloi të ndjente një therje dhe më pas nga goja i doli gjak. E varrosëm pranë një qershie diku në skaj të burgut”, - kështu i tregon momentet e fundit të jetës së Xhuzepe Terrusit, dëshmitari okular Petrit Velaj.

Ditari që u bë libër biografik

Aldo Terrusi nuk kishte pasur kurrë si synim të shkruante një libër, aq më tepër biografik. “Gjithçka që unë kisha hedhur të zezë mbi të bardhë ishte thjesht një ditar. Fotografitë dhe adresat që unë kisha shënuar në këtë ditar ishin thjesht kontaktet me këta njerëz që unë kisha takuar në Shqipëri për të komunikuar me ta, por nuk kishin një synim për të shkruar një libër. Në disa raste kisha arritur në konkluzionin se unë po shkruaja më shumë se çfarë më kishin rrëfyer. Pashë se e ndjeja të nevojshme të hidhja të zezën mbi të bardhë për të kaluarën time. Me vdekjen e nënës sime Aurelia dhe dajës Xhakomo Pozeli, nisa të mendoj se unë kisha mbetur hallka e fundit e zinxhirit që bënte të mundur bashkimin e asaj që kishte ndodhur në të kaluarën me të tashmen e familjes sime. Për këtë arsye e ndjeva të nevojshme të shkruaja historinë e familjes sime”, - shpjegon Aldo Terrusi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›