Ish-ushtarakët, 120 emrat e rinj që përfitojnë pensione
ISSH publikon listën e përfituesve të pensioneve suplementare të pleqërisë dhe asaj të pensioneve të parakohshme, që u është lidhur pagesa deri në datën 26 tetor
Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon emrat e rinj të 120 ish-ushtarakëve që do të përfitojnë pensione suplementare pleqërie dhe të parakohshme. ISSH bën të ditur se këtyre ish-ushtarakëve u është lidhur pensioni deri në datën 26 tetor, ndërkohë që përfituesit i përkasin kategorisë së pensioneve suplementare të pleqërisë dhe asaj të pensioneve të parakohshme. Faza e dytë e përllogaritjes së pensioneve të ish-ushtarakëve janë ata të kategorisë suplementare, para 30 qershorit 1991, të cilët kanë dalë në rezervë. Kryesisht, këta janë kategoria e personave të cilët kanë dalë që të gjithë në pension, por nuk kanë përfituar nga ligjet e mëparshme. Aktualisht, rillogaritja për ish-ushtarakët nuk po ecën me ritmin e parashikuar, pasi ka vonesa në ardhjen e dokumentacionit në drejtoritë rajonale të ISSH-së nga strukturat e ndryshme që disponojnë dokumentacionin e kërkuar, në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.793, datë 24.09.2010. Deri më tani, sipas të dhënave nga ISSH-ja, janë caktuar rreth 40% e pensioneve suplementare, për pensionet e pleqërisë të reja, për ata që janë liruar para datës 30.06.1991. Sipas specialistëve të ISSH-së, në procesin e rillogaritjes së përfitimeve suplementare janë shfaqur disa probleme, për të cilat strukturat përkatëse nuk janë përgjigjur, ndaj dhe dokumentacioni i ardhur në drejtoritë rajonale të Sigurimeve Shoqërore është i papërfillshëm për këtë kategori. Nga ana tjetër, të gjithë ushtarakët që kanë përfituar pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, ish-ushtarakët që janë në pension dhe kanë përfituar pension suplementar pleqërie, kanë nevojë për konfirmime në dokumente, ndërkohë që nga strukturat e linjës në ISSH janë depozituar shumë pak prej tyre, që mbeten në nivelin e papërfillshëm.