E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri, nga Ulqini në Vlorë

Panairi

Pas Ulqinit, botuesit, librat dhe autorët do të zhvendosen në Vlorë. Nga data 12 deri më 18 gusht në shëtitoren e Skelës, pranë lulishtes simbolike të shkrimtarëve do të mbahet edicioni XI i Panairit të Librit. Rreth 50 botues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, 5000 tituj të ekspozuar, nga të cilët rreth 600 të rinj, një numër i madh krijuesish të njohur e të rinj, janë disa nga treguesit e këtij panairi. Në këtë edicion të 11-të, zgjedhur të mbahet në stinën e verës, libri nuk u ofrohet vetëm vlonjatëve, por edhe pushuesve të shumtë nga e gjithë Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Sipas organizatorëve, Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe Bashkia e Vlorës, edhe pse këto janë panaire verore, që zhvillohen gjatë mbrëmjeve dhe në mjediset e jashtme, nuk do të mungojnë veprimtaritë me librin, si takimet me krijuesit dhe përurimet e botimeve të më fundit të autorëve kryesisht vlonjatë, por edhe veprimtari qendrore të programuara nga organizatorët. Një ceremoni në formën e një programi muzikor, e paraprirë nga një program i veçantë artistik, do të çelë panairin në orën 21.00. Të ftuar të veçantë në ceremoninë e çeljes të këtij edicioni do të jenë edhe akademiku Arben Puto, si dhe z. Bajram Kosumi, ish-kryeministër i Kosovës, aktualisht deputet në Parlamentin e Kosovës. Me këto personalitete, gjatë ditëve të panairit do të organizohen takime dhe promovime të librave.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›