E Diel, 1 Nëntor 2026

Lida Miraj: Preza? Nuk ka prone mbi pasurinë kombëtare

Lida Miraj është një prej arkeologeve shqiptare më në zë. Si e tillë, ka punuar në shumë sajte arkeologjike duke dhënë ndihmesën e saj në shpëtimin e pasurisë sonë kulturore. Ndërtimi i një shtëpie ngjitur me kalanë e Prezës, e aq më tepër nga familja e një prej anëtarëve të kabinetit të qeverisë shqiptare (Majlinda Bregu), ashtu si këdo, e ka habitur edhe atë. "Sa i përket ndërtimit në kalanë e Prezës, ka disa probleme", shprehet Miraj, duke numëruar si më të parin prej tyre, lejen. "Thuhet që ka leje ndërtimi. Kush e ka dhënë lejen, sepse në bazë të ligjit të Urbanistikës, leja jepet mbi një studim urbanistik të miratuar, në të kundërt është shkelje e ligjit. Komuna e Prezës, ashtu si çdo njësi e pushtetit lokal, nuk mund të miratojë leje ndërtimi të pambështetur në një plan studimi urbanistik", deklaron ajo. 

Sipas arkeologes, për këtë leje mban përgjegjësi edhe këshilli i qarkut, edhe prefektura, në të cilën bën pjesë Preza. "Ndërtimi bëhet mbi një monument kulture. Në raste të tilla, ligji përcakton distancën nga monumente të tilla. IMK, mbrojtësi ligjor e teknik i monumenteve duhet menjëherë të ndërhyjë, nëqoftëse ai vetë nuk ka miratuar një gjë të tillë. Veç IMK, janë edhe zyrat rajonale në varësi të Ministrisë së Kulturës, të cilat kanë detyrë mbrojtjen e monumenteve", shprehet specialistja. Ajo shton se "dikush tha që Kalaja e Prezës nuk qenka ose është hequr nga lista e objekteve të vëna në mbrojtje. Kjo gjë, nëqoftëse është e vërtetë, (sepse nuk e besoj që të jetë e vërtetë) nuk shfajëson, por vetëm rëndon më shumë organet që kanë ose që duhet të kenë detyrë shtetërore, profesionale e ligjore mbrojtjen e monumenteve të kulturës". 

Nga ana tjetër, ajo thekson se nga çdo këndvështrim është joprofesional, jo etik, jo ligjor ndërtimi mbi Kala. "Kur këtë e shkelin me dy këmbë pushtetarët, domethënë kjo është problem. Sepse kjo tregon që nuk funksionon shteti ligjor. Fakti që leja fshihet, tregon qartë abuzivitetin. Në të kundërt, po të ishte ligjore, nuk kanë pse përdridhen me argumente boshe punonjës të zyrave të emëruar në bazë të militantizmit", nënvizon Miraj. E ndërsa komenton deklaratën e familjes Ajazi, sipas të cilës, ndërtimi bëhet në pronën e tyre, arkeologia vëren se nuk mund të ketë pronë private mbi pasuri kombëtare. Sipas këndvështrimit të saj, në raste të tilla është ose më saktë, duhet të jetë shteti, që të ndërhyjë për të vendosur normalitetin e gjërave. "Në vende të tjera pronari i një objekti, monument kulture, nuk mundet të bëjë asgjë me pronën e tij, pa miratime përkatëse, të detajuara, nga organet profesionale e ligjore, të ngarkuara për ruajtjen, mbrojtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore", sqaron Miraj. Ajo e përfundon prononcimin e saj për "GSH" me këto fjali: "Ajo që trashëgojmë lidhet me memorien kolektive, me kontributin e brezave, me historinë dhe askush nuk ka të drejtë të veprojë sipas 'dëshirave' dhe injorancës personale".
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›