E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liderët botërorë për masa më të ashpra kundër terrorizmit bërthamor

Liderët botërorë kanë bërë thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë për të frenuar kërcënimin e terrorizmit bërthamor, në një samit mbi sigurinë bërthamore që po mbahet në Seul.

Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Myung Bak, deklaroi se terrorizmi bërthamor mbetet një kërcënim i rrezikshëm, ndërsa presidenti Barack Obama, u shpreh se veprimi është çelësi i shmangies së këtij rreziku.

Ndërkohë, edhe presidenti kinez, Hu Jintao, i bëri thirrje grupit që të punojë së bashku për çështjen në fjalë. Në takim ka dominuar paralajmërimi i Koresë së Veriut për të lëshuar një raketë muajin e ardhshëm.

Pheniani deklaron se raketa me rreze të gjatë veprimi do të mbajë një satelit. Ndërsa Shtetet e Bashkuara thonë se lansimi i saj do të përbënte shkelje të rezolutave të OKB-së dhe do të ishte një test raketash.

Gjithashtu, programi bërthamor i Iranit ishte temë e samitit, me presidentin Obama që kërkoi një takim me liderët e Rusisë dhe Kinës, për të punuar mbi hartimin e një rezolute.

Gjatë takimit, liderët botërorë kanë diskutuar masat për të luftuar terrorizmin bërthamor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›