E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel: Qeveria nuk është e rrezikuar

Me gjithë debaklin e liberalëve në zgjedhjet e zhvilluara në Saarland, kancelaria e Gjermanisë, Angela Merkel, nuk e sheh të rrezikuar koalicionin qeveritar mes partive të Unionit Demokristian dhe FDP-së. Rezultate në këtë land më shumë i shërbejnë për zgjedhjet tjera.

Deri në zgjedhjet e landit Shlesvik-Holshtajn kanë mbetur edhe gjashtë javë ndërsa në landin me numrin më të madh të banorëve, në Nordrhein Westfalen do të votohet pas shtatë javësh.

Prandaj votimi dhe rezultatet e zgjedhjeve në landin e Saarlandit ishin për partitë në Berlin një rast i mirë që të bëhen analiza dhe të fillohet menjëherë me përmirësimin e gabimeve. Më së shumti gjëra për të korrigjuar kanë liberalët, të cilët kurrë më parë nuk kanë qenë në ndonjë gjendje më të rëndë. Për shkak të grindjeve brenda partisë dhe me partitë tjera, liberalët nuk fituan numrin e mjaftueshëm të votave për tu futur në parlamentin e këtij landi. Liberalët fituan vetëm 1,2 për qind të votave që është një rezultat jashtëzakonisht i dobët.

Shefi i liberalëve, Philipp Rosler, vetëm një ditë pas debaklit në Saarland u bëri thirrje anëtarëve dhe krerëve të partisë së tij që në këtë situatë të mos humbin nervat.

Merkel i doli në ndihmë FDP-së, duke theksuar se këto rezultate nuk do të rëndojnë në asnjë mënyrë raportet me liberalët në nivelin federal.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›