E Hënë, 2 Nëntor 2026

Liderët e BE mblidhen për Ukrainën, Unioni: Gati të marrim më shumë përgjegjësi për sigurinë evropiane

Liderët evropian takohen sot në Bruksel , ku i pranishëm do të jetë edhe presidenti Volodymir Zelensky.

Në këtë samit pritet të diskutohet  plani prej 800 miliardë eurosh për forcimin e  mbrojtjes së Evropës, si dhe ofrimi i mbështetjes  urgjente ushtarake për Ukrainën.

“Në këtë kontekst, ata do të shkëmbejnë mendime mbi kontributet evropiane për garancitë e nevojshme të sigurisë që kërkohen për të garantuar një paqe të qëndrueshme në Ukrainë. BE-ja dhe vendet e saj anëtare janë të gatshme të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë evropiane”, thuhet në një deklaratë të Këshillit Evropian.

Kjo është hera e parë që  të gjithë  krerët e shteteve dhe të qeverive evropiane  mblidhen  pasi Trump  bisedoi  në një lidhje telefonike për  90-minuta me kreun e Kremlinit Vladimir Putin dhe vendosi të nisë negociatat për t’i dhënë fund pushtimit tre-vjeçar.

Që nga fillimi i agresionit ushtarak rus, BE dhe shtetet anëtare kanë ofruar afërsisht 135 miliardë euro  për të mbështetur Kievin  si dhe kanë miratuar sanksione të paprecedenta kundër Rusisë, të cilat synojnë fusha vitale të ekonomisë së saj, duke përfshirë bankat, si dhe  sektorët industrialë dhe energjetikë.

Një ditë më parë presidenti francez Emmanuel Macron e cilësoi “çmenduri”  shpërfilljen e  kërcënimit rus për Evropën dhe theksoi se është i hapur për bisedime  në lidhje me shtrirjen e ombrellës bërthamore të Francës në vendet aleate të Parisit në kontinent./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›