E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liderët evropianë njëzëri me Berishën: Jo bojkot Parlamentit



Kryeministri Sali Berisha merr në Bon të Gjermanisë mbështetjen e fortë nga liderët evropianë për integrimin e Shqipërisë në BE, liberalizimin e vizave dhe mirëkuptim të plotë për qëndrimin e qeverisë lidhur me kërkesën e opozitës për rinumërimin e votave. Kryeministri Berisha në ditën e dytë të vizitës së tij në Bon, ku mori pjesë në kongresin e EPP, ishte pjesëmarrës në sesionin e dytë plenar, i cili u përqendrua në votimet për modifikimet e statutit si dhe në nxjerrjen e rezolutës përfundimtare të kongresit. Gjatë këtij sesioni Kryeministri Berisha pati rastin të takonte dhe të përshëndetej me shumë liderë evropiane, si Presidentin e sapozgjedhur të BE-së, Herman Van Rompuy, Kancelaren gjermane Angela Merkel, Kryeministrin suedez Fredrik Reinfeldt, Kryeministri italian Silvio Berlusconi, Presidentin e Komisionit Evropian Manuel Barroso etj. Kryeministri konfirmoi se me liderët evropianë diskutoi për procesin e integrimit të Shqipërisë gjë për të cilën gjeti mbështetje të plotë. “Një diskutim të veçantë pata kësaj radhe me Presidentin e sapo zgjedhur të BE-së, Herman Van Rompuy, të cilin kam pasur rastin ta njoh dhe të kem lidhje mjaft pozitive, ndofta dhe miqësore edhe para këtij takimi që zhvilluam, e njoha me të gjitha zhvillimet në Shqipëri. Ai më premtoi se vitin e ardhshëm do të vizitojë Shqipërinë, sikundër kam marrë një premtim të prerë nga Kancelarja Merkel për të vizituar Shqipërinë”, - tha z. Berisha. “Në të gjitha bisedimet me kolegët e mi, - shtoi ai, - natyrisht që kam trajtuar edhe kërkesën absurde të opozitës për të rinumëruar votat pas një vendimi gjykate, i cili e përjashton këtë mundësi”. Kryeministri informoi se ka gjetur mirëkuptim të plotë nga bashkëbiseduesit e tij për qëndrimin e qeverisë dhe të tijin personalisht ndaj kësaj kërkese, sikundër i njohu ata me ofertën për problematikën tjetër, në mënyrë që opozita të marrë vendin e saj në Parlament. “Mendoj se ky kongres ishte një mundësi shumë e madhe për mua, qeverinë time, si për të promovuar reformat që kemi bërë, ashtu dhe për të kërkuar mbështetje, heqjen e vizave etj. Unë gjatë darkës takova shumicën e personaliteteve dhe veçanërisht darkën ia përkushtuam vizave dhe biseduam si me komisionerët përgjegjës dhe të tjerë për problemin e vizave, ashtu edhe me kryeministrat”, - theksoi z. Berisha. Pas sesionit plenar, Kryeministri Berisha ishte i ftuar në drekën zyrtare të zhvilluar nga CDU, e shtruar për nder të kryetarëve të qeverive dhe të kryetarëve të partive të djathta të pranishme. Edhe gjatë kësaj dreke Kryeministri Berisha u takua dhe diskutoi me liderët evropianë, ku mori mbështetjen për integrimin e Shqipërisë dhe liberalizmin e vizave si dhe gjeti mirëkuptimin e plotë të tyre për qëndrimin e qeverisë lidhur me kërkesën e opozitës për rinumërim të votave. Më pas, Kryeministri Berisha dha një prononcim për mediat, para të cilave vlerësoi kongresin e PPE-ve si mjaft të rëndësishëm. Sipas tij, “së pari, ripërtëriu lidershipin e Partisë Popullore Evropiane, partisë më të madhe të kontinentit, partisë që më personalitetin e saj udhëheq sot Bashkimin Evropian. Së dyti, - tha Berisha, - trajtoi me një shkallë të lartë kompetence dhe përgjegjësie problemet madhore të sotme, siç është kriza ekonomike financiare, ndryshimi i klimës dhe inaugurimi i institucioneve të reja të Bashkimit Evropian, të cilat në këta rast, si Parlamenti ashtu edhe Presidenti dhe Komisioni kryesohen nga qendra e djathtë”. “Për mua ky ishte një rast i shkëlqyer për të paraqitur në fjalën time gjendjen, zhvillimet pozitive në Shqipëri, vitin 2009, si një vit i madh, për partitë popullore, po ashtu një vit i madh edhe për Shqipërinë. Gjithashtu, ishte një rast i shkëlqyer për të zhvilluar një seri takimesh”, - u shpreh z. Berisha. Më tej, ai foli për jehonën botërore të festimit të 8 Dhjetorit në Tiranë, jehonë kjo e pranishme gjerësisht në këtë kongres. Kryeministri Berisha vuri në dukje se ishin të shumtë pjesëmarrësit e kongresit, por edhe udhëheqësit kryesorë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera, të cilët kishin ngelur jashtëzakonisht të entuziazmuar nga ajo shfaqje madhështore. “Dhe unë, siç theksova në fjalim, u thashë miqve të mi se populli që ka vuajtur më shumë nga diktatura e egër komuniste, e festoi dhe i takonte ta festonte me madhështinë më të madhe, sikundër i njoha me qëndrimin e pakonceptueshëm të opozitës, e cila jo vetëm që nuk iu përgjigj ftesës sime për të qenë e pranishme në këtë ngjarje të madhe për kombin, por bëri të kundërtën, e denoncoi, duke e shpallur si antimiting apo e provokoi në mënyrat më të ulëta, duke shpërndarë kryetari i bashkisë plehrat nëpër rrugët e Tiranës, në prag të kësaj ngjarjeje”, - deklaroi z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›