E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët, 750 milionë lekë për karburantin



Kuvendi miratoi dje një vendim sipas të cilit detajohen shpenzimet e deputetëve për transportin e tyre. Referuar ligjit të ri që miratoi Kuvendi për transportin e zyrtarëve, me vendimin e veçantë, përcaktohet se do të shpenzohen 750 milionë lekë në vit për karburantin e 140 deputetëve të Shqipërisë. Sipas ligjit, deputetët nuk do të ketë makinë zyrtare por do të paguhen me lekë në dorë vetëm për karburantin.

Kështu sipas vendimit të djeshëm, deputetët e Durrësit e të Tiranës do të jenë më pak të paguarit për shkak se ata ndodhen me afër me qendrën. Deputetët e Tiranës, në total 32, do të paguhen me nga 37 mijë lekë të reja në muaj. Të njëjtën sa do të përfitojnë edhe deputetët e Durrësit. Rezulton se deputetët që do të paguhen më shumë për karburantin do të jenë 4 deputetët e Kukësit, Dibrës dhe Gjirokastrës. Deputetët e Gjirokastrës dhe Dibrës do të paguhen 57 mijë lekë të reja në muaj për karburantin e tyre. Referuar këtyre shifrave mujore, për 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të harxhohen 6 272 000 milionë lekë të reja në muaj. Ndërsa shifra vjetore që do të harxhohet për karburantin e deputetëve nga taksat e shqiptarëve do të jetë 75 264 000 milionë lekë të reja në vit, ose 750 milionë lekë të vjetra. Deputetë me ligjin e ri nuk kanë makina apo shoferë kështu që rritja e shifrës për karburant u pa si mënyra më e mirë e kompensimit për ta.

Statusi i deputetit përmban disa lehtësira. Deputetët që shkojnë me shërbim jashtë shtetit nga Kuvendi përfitojnë dietë ditore sipas akteve të miratuara nga Kuvendi. Në rastet kur ai ftohet të marrë pjesë në delegacionet qeveritare, shpenzimet mund të mbulohen nga organi ftues. Deputetit dhe bashkëshortes së tij u njihet e drejta e pajisjes me pasaportë diplomatike gjatë kohës së kryerjes së mandatit, si dhe 3 vjet pas mbarimit të tij. Pranë çdo zone elektorale organet e qeverisjes vendore hapin zyra të veçanta pune për deputetët. Kryetari i Kuvendit, me pëlqimin e deputetëve, emëron në shërbim të deputetëve në këto zyra një sekretar, si rregull me arsim të lartë juridik, i cili pajiset me mjetet e nevojshme të punës. Fondet për nevojat e mësipërme përballohen nga Ministria e Pushtetit Vendor. Deputetit i njihet e drejta për t’u pajisur me numër telefoni dhe i garantohet shërbim telefonik i pandërprerë. Vlera e 700 impulseve të harxhuara për çdo deputet, 900 impulseve të harxhuara për zëvendëskryetarët e Kuvendit dhe vlera e çdo impulsi të harxhuar për kryetarin e Kuvendit, përballohet nga buxheti i Kuvendit. Për sëmundjet që shfaqen gjatë ushtrimit të detyrës dhe kur personeli shëndetësor vlerëson trajtimin e tyre të specializuar, deputeti mund të dërgohet për kurim jashtë shtetit. Fondet për këtë qëllim sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë. Deputeti përfiton me përparësi të drejtën e strehimit ose i jepet kredi afatgjatë nga organet shtetërore përkatëse.

Zonat nr deputet vlera mujore/Leke totali/muaj

Tirana 32 37.000 1 184 000

Durrësi 13 37.000 481 000

Lezha 7 40.000 280 000

Elbasani 14 42.000 588 000

Dibra 6 57.000 342 000

Vlora 12 55.000 660 000

Shkodra 11 49.000 539 000

Fieri 16 45.000 720 000

Berati 8 45.000 360 000

Kukësi 4 56.000 224 000

Korça 12 53.000 636 000

Gjirokastra 5 57.000 285 000

Totali 6 272 000

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›