E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lidhi kalin pas automjetit në lëvizje, procedohet 60-vjeçari në Elbasan

TIRANË, 5 shtator /ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë në Elbasan bëri të ditur sot se ka nisur procedimin penal për një 60 vjeçar, i cili lidhi një kalë me litar pas një automjeti në lëvizje.

Drejtoria Vendore e Policisë në Elbasan, në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një kalë i lidhur me litar pas një automjeti në lëvizje, në vendin e quajtur Mirakë, informon se, menjëherë pas publikimit të videos, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd kanë kryer veprimet për identifikimin dhe shoqërimin e drejtuesit të automjetit.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin N. L., 60 vjeç, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në numrin pa pagesë 112 ose në faqen zyrtare të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, duke iu siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.

/gj.m/ /a.g/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›