Osmani: Nënë Tereza i dha zë të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve

PRISHTINË, 5 shtator/ATSH/- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar jetën dhe veprimtarin bamirëse të Nënë Terezës.
Osmani shprehet se Nënë Tereza i dha zë të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve duke lënë trashëgimi të pakrahasueshme bamirësie dhe humanizmi.
“Nga fshati i vogël i Letnicës, ku dëgjoi thirrjen hyjnore, në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan dhe pastaj në çdo anë të botës, Nënë Tereza i dha zë të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve, duke lënë pas një trashëgimi të pakrahasueshme bamirësie dhe humanizmi. Rrugëtimi i saj frymëzoi miliona njerëz. Veprat e Shën Terezës na kujtojnë fuqinë e bamirësisë dhe humanizmit, prandaj trashëgimia e saj është një thirrje për secilin prej nesh: të jemi pranë të tjerëve, të dhurojmë dashuri dhe shpresë, si dhe ta ndërtojmë një botë më të drejtë dhe më paqësore”, theksoi Presidentja e Kosovës.
Data e 5 shtatorit për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë u zgjodh për të përkujtuar përvjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës së Kalkutës, e cila mori Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979.
Shën Tereza, emri i plotë i së cilës është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, u lind më 26 gusht 1910 në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, ndërsa më 19 tetor 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.
Për më shumë se 45 vjet ajo u shërbeu të varfërve, të sëmurëve e jetimëve. Ishte nënë kujdestare e 7.500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960.000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47.000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3.400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë.
Shën Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë. Papa Françesku më 4 korrik 2016, duke lexuar formulën e shenjtë në emrin e Zotit, ka shpallur Nënë Terezën si Shën Tereza. Kjo erdhi pas lituanive të shenjta që u bën në Vatikan.
/Kosovapress/