Lidhi të miturën dhe abuzoi seksualisht me të, Prokuroria e çon në gjykatë
Historia e dhimbshme e 16 vjeçares së mitur nga Librazhdi e cila ishte gënjyer, e më pas dhunuar seksualisht nga një 40 vjeçar pedofil duket se do të zgjidhet pas plot katër muajsh nga denoncimi i kryer nga familjarët e të miturës. Pas verifikimit të provave nga Prokuroria, ditën e djeshme organi i akuzës ka dërguar për gjykim çështjen e 40-vjeçarit Shkëlqim D, i cili akuzohet për kryerje të marrëdhënieve seksuale me të mitura. Prokuroria e akuzon 40-vjeçarin për abuzim me një vajzë 16-vjeçare nga Librazhdi. Sipas organit të akuzës, 40-vjeçari ka pranuar se kishte dijeni vajza me iniciale D.F ishte e mitur, por pavarësisht kësaj ai ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë më të. Prokuroria pretendon se ka siguruar provat e nevojshme për dënimin e 40-vjeçarit.
Kërkesa, e Prokurorisë për Gjykim
Pedofili Shkëlqim D., i datëlindjes 1973, banues në Tiranë hetuar në gjendje arresti me burg i akuzuar për veprën penale të Marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-16 vjeç dhe Heqjes së paligjshme të lirisë, parashikuar në nenet 101/1 dhe 110/1 i Kodit Penal, do të gjykohet nga Gjykata e Tiranës. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka nisur hetimin mbi bazën e akteve të referuara për kompetencë nga Prokuroria Elbasan. Nga hetimi i zhvilluar ka rezultuar e provuar se: Prokuroria e Elbasanit, mbi bazën e materialit të mbërritur nga Komisariati i Policisë Librazhd ka regjistruar procedimin penal në Maj 2013 lidhur me largimin nga banesa të shtetases D.F., dtl. 1997. Ky fakt është kallëzuar nga familjarë të saj.
Dëshmia e të miturës
Nga provat e administruara prej Prokurorisë konkludohet se në dt. 12.05.2013, shtetasja D.F është kthyer në banesën e saj dhe një ditë më pas ka bërë kallëzimin penal. Në kallëzim, ajo deklaron se tre muaj para kallëzimit ka nisur komunikimin telefonik me një person nga Tirana, i prezantuar si Xhimi. Në dt. 06.05.2013, shtetasja ka dalë herët në mëngjes pa njoftuar njeri dhe është nisur në Tiranë për të takuar këtë person, i cili rezulton se është shtetasi Shkëlqim D. Kallëzuesja ka deklaruar në dëshminë e saj dhënë në Polici por edhe përpara hetuesve se ky shtetas ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë në shtëpinë e një shtetaseje me emrin B. K. Më pas, i pandehuri e ka dërguar në shtëpinë e prindërve të tij, në një fshat të Tiranës, ku i ka lidhur duart dhe e ka lënë në një dhomë gjatë gjithë ditës dhe natës. Një ditë më pas, sipas kallëzimit, i pandehuri e ka lidhur në një pemë në një tjetër zonë të Tiranës, pranë Qytetit Studenti. Në funksion të hetimit, janë kryer veprimet procedurale, si edhe është pyetur shtetasi Shkëlqim D. Ky i fundit e pranon se kishte dijeni se D.F ishte e mitur. Nga akt-ekspertiza e kryer në funksion të hetimit, është e provuar se ndërmjet të pandehurit dhe kallëzueses janë kryer marrëdhënie seksuale nën ushtrimin e dhunës.