Lidington vizitë në Tiranë, takon Haxhinaston

Ministri Britanik i Shtetit për Europën, David Lidington viziton sot për herë të parë Shqipërinë që kur ai u bë ministër në muajin maj, të vitit 2010. Mëngjesin e sotëm ai është takuar me Ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto ndërsa më vonë do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.
Ndërkohë mësohet se Lidington do të takohet me presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha si dhe me kreun e opozitës për të diskutuar mbi gjendjen politike, axhenden e reformave të BE-së, dhe prioritetet e Mbretërisë se Bashkuar për sundimin e ligjit. Ai do të bëjë gjithashtu edhe një takim të shkurtër me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama.
Më herët gjatë rrugës për në Tiranë, Lidington tha se “ Mbretëria e Bashkuar mbështet fuqimisht dëshirën e Shqipërisë për t`u bashkuar me BE-në. Megjithatë, për të përparuar më tej, është me rëndësi që politikanët dhe institucionet shqiptare të demonstrojnë pjekurinë e tyre demokratike dhe kredencialet evropiane. Unë pres që të diskutoj këtë axhendë me partnerët shqiptarë në Tiranë”.