Lieberman: Kundër Iranit, të gjitha opsionet në tryezë

Ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman, u ka thënë udhëheqësve kinezë se vendi i tij “mban të gjitha opsionet në tryezë për t’iu kundërvënë aktiviteteve bërthamore të Iranit”.
Lieberman, gjatë vizitës në Pekin, i ka thënë zëvendëspresidentit kinez, Xi Jinping dhe ministrit të Jashtëm, Jang Jiechi, se programi bërthamor i Iranit paraqet rrezik për paqen dhe stabilitetin e botës.
Kina, e cila ka marrëdhënie të ngushta tregtare dhe të energjisë me Iranin, mbështet zgjidhjen diplomatike për aktivitetit bërthamore të Teheranit, por kundërshton sanksionet e njëanshme ndaj Republikës Islamike.
Lieberman ka thënë se Izraeli shpreson që bisedimet dhe sanksionet të zgjidhin mosmarrëveshjen, por “rezervon të drejtën për të mbrojtur veten nëse këto përpjekje dështojnë”.
Izraeli dhe vendet e Perëndimit dyshojnë se Irani ka për qëllim krijimin e armës bërthamore – pretendime që hidhen poshtë nga Teherani zyrtar.