E Enjte, 5 Nëntor 2026

Liga “Gjergj Kastrioti” gjysmëfinalet e kthimit

Liga “Gjergj Kastrioti” në volejboll meshkuj e femra të shtunën do të luajë aktin e fundit të raundit gjysmëfinal. Priten ndeshje interesante, edhe sepse, të paktën me rezultatet e takimeve të para, do të duhet të ketë reagim nga ato skuadra që kërkojnë të pamundurën për të qenë në finalen e 2 marsit. Të paktën për femra duket se gjithçkë është e hapur. Kështu në Gjilan, Drita e Lorik Ilazit do të presë Tiranën e Amarilda Prengës, ndërsa një javë më parë, në një ndeshje rivalësh, është mundur 1-3.

Po kështu Skënderbeu do të presë skuadrën e Ferizajt, Fer Volej, ndërsa ndeshjen e parë korçaret e patën humbur 2-3. Në të dyja rastet shansi për set të artë, apo në gjuhën ndërkombëtare “golden set” është i madh. Tek meshkuj më e sigurtë është Tirana e Arben Sakos, që ka fituar ndeshjen e parë në transfertën e Pejës, 3-1.

Pritet një reagim ndryshe nga Ferizaj e Arif Elezit, që në fakt takimin e parë me Erzenin e pat humbur 0-3 me pikë të ngushta të setet. Gjysmëfinale të gjitha për t’u shijuar, ndërsa finalet do të luhen më 2 mars në sallën olimpike “Feti Borova” në ora 16:30 për femra dhe 19:00 për meshkuj. Një ligë që tashmë e ka shtruar rrugën e saj për të qenë kampionat i rregullt sezonin e ardhshëm sikurse ndodh në basketboll.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›