Formula 1, anullohet gara në Rusi

Çmimi i Madh i Rusisë në Formula 1 nuk do të zhvillohet. Formula 1 nëpërmjet një komunikate zyrtare, ka njoftuar se gara e programuar për t’u zhvilluar në Soçi, në shtator, nuk do të bëhet për shkak të situatës së krijuar në Ukrainë, pas sulmit ushtarak nga ana e Rusisë. FIA ka biseduar me të gjitha skuadrat të ndodhura në Barcelonë për testet parasezonale dhe më pas ka marrë vendimin.
“Kampionati i Formula 1 zhvillohet në vendet e gjithë botës, me objektivin për të bashkuar njerëzit dhe kombet. Jemi duke ndjekur zhvillimet në Ukrainë me shumë trishtim, me shpresën për një zgjidhje sa më të shpejtë e paqësore. Pas një bashkëbisedimi me të të gjitha skuadrat e Formula 1, arritëm në një vendim unanim se është e pamundur për të zhvilluar Çmimin e madh të Rusisë në rrethanat aktuale” – shkruhej në komunikatën e FIA-s.
Por anulimi i garës së Rusisë, i programuar në fundjavën e 23-25 shtatorit 2022, do të sjellë ndryshime në kalendarin e sezonit të ardhshëm të Formula 1. Pasi për momentin nuk është thënë që ajo garë do të zëvendësohet dhe nga 23 garat e programuara, mbeten 22 për t’u zhvilluar.