Shqipëria, me dy fytyra në transfertën rumune

Shqipëria në basketboll për meshkuj ka dalë e humbur nga transferta e Ploeshtit, teksa në një ndeshje me dy fytyra, e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, është mundur me 17 pikë diferencë, 101-84. Kuqezinjtë e Afrim Bilalit kanë bërë një pjesë të parë të mirë e më pas në të dytën janë dukur inekzistentë e sikur të mos ishin fare në fushë. Pas një avantazhi 11-10 për Rumaninë, Shqipëria gjen forca dhe shkëputet në 11-17. Pavarësisht se vendësit janë të saktë në gjuajtjet për tre pikë, tanët nuk reshtin së realizuari thuajse në të gjitha sulmet drejt koshit kundërshtar.
Për rrjedhojë në fund të periodës së parë ata janë në avantazh 28-29. Arma e vendësve vijon të ngelet trepikëshi, por megjithatë edhe në fund të periodës së dytë Shqipëria është përsëri në avantazh. 24-27 perioda e dytë për tanët dhe në total 52-56 për kuqezinjtë. Dhe me këtë fitore skuadrat i drejtohen dhomave të zhveshjes për pushimin. Mirëpo pas pushimit Rumania është tjetër gjë. Ndryshon lojën dhe na godet në të gjitha drejtimet. 25-14 për vendësit perioda e tretë, që përmbysin në 77-70. Kuqezinjtë nuk kanë më fuqi të rezistojnë dhe për rrjedhojë Rumania vijon të thellojë.
24-14 perioda e katërt dhe në përfundim 101-84. Lojtari më i mirë për Shqipërinë ishte Dusha e pas tij Pullazi e Dallas Mur. Gjithsesi të dielën kuqezinjtë kanë mundësi rekuperimi të kësaj humbje, ndërsa në transfertën e Luksemburgut, që do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar duke nisur nga ora 17:00, do të duhet të gjejnë fitore, sikurse kanë bërë më 25 nëntorin e vitit të kaluar, 92-89. Për momentin grupin e kryeson Rumania, kurse Shqipëria në vendin e dytë me 3 pikë.