E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liga e Europes - turi II

Do të jetë një përballje Lindje-Perëndim në ndeshjet e turit të dytë të Ligës së Europës. Shorti i hedhur në Zvicër krijoi përballje interesante dhe skuadra kampione në fuqi, Atletiko e Madridit do të shkojë në Rusi për të luajtur ndaj Rubinit

Emocionet do të jenë të mëdha edhe në turin e dytë të Ligës së Europës, ku përplasjet mes peshave të rënda nuk munguan. Shorti zviceran thuajse krijoi për përballje Lindje-Perëndim ku disa prej skuadrave më të mira si Interi, Liverpuli, Atletiko e Madridit, Çelsi apo Napoli do të provojnë fatin e tyre në krahun tjetër të kontinentit.
Bie në sy dueli mes Zenitit të Shën Petersburgut rus dhe Liverpulit anglez, ndërsa skuadra trombajtëse, Atletiko e Madridit, gjithashtu duhet të bëjë një udhëtim të gjatë, deri në stepat tartare, për të luajtur ndaj Rubinit të Kazanit.
Interi i Milanos do të duhet të luajë në Rumani ndaj Kluzhit, një përballje ku është favorit, ndërsa skuadra tjetër italiane, Napoli do të përballet me çekët e Viktorias së Plzenit.
Lacio, skuadra ku luan Lorik Cana ka një detyrë të vështirë para vetes pasi duhet të eleminojë gjermanët e Borusias së Mynshengladbahut, ndërsa skuadra ku luan sulmuesi shqiptar Bala, pra Sparta e Pragës ndeshet me kampionen e Europës në fuqi, Çelsin.
Një derbi do të jetë ai mes Totenhemit anglez dhe Lionit francez dhe trajneri i Spërsave, Andre Vijas Boas do të synojë ta fitojë edhe një herë këtë kupë, që e rroku një herë me Porton.
Duele të tjerë interesantë janë mes Dinamos së Kievit e Bordosë franceze, Njukasëllit ndaj Metalistit të Harkivit, Anzhit ndaj Hanoverit, Ajaksit ndaj Steauas dhe Bazelit ndaj Dnipros ukrainas.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›