E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liga e Kampionëve, të gjithë kundër Mançesterit!

Torres përballë Atletikos. Reali gjen Juven. Buzëqeshin Interi dhe Barcelona. Spikat edhe "beteja britanike"

Mançesteri, fitues në fuqi i Ligës së Kampioneve, ka rënë në grup me skocezët e Sëlltikut, spanjollët e Vilarelit dhe danezët e Alborgut, në bazë të shortit të hedhur dje në Montekarlo. "Djajtë" që, njëkohësisht janë edhe kampionët e Anglisë, bëjnë pjesë në Grupin E. "Beteja britanike" ndërmjet Mançesterit dhe Sëlltikut do të jetë më interesante, nga fakti se trajneri i Mançesterit, Aleks Ferguson, është skocez, ndërsa trajneri i Sëlltikut, Gordon Straçan, i famshëm si futbollist i Mançesterit. Të dyja klubet janë ndeshur edhe dy vjet më parë në fazën me grupe. Skocezët fituan 1-0 në fushën e tyre, ndërsa Mançesterit fitoi 3-2 sfidën në "Old Traford".

Çelsi do të ndeshet me italianët e Romës, francezët e Bordosë dhe debutuesit rumunë Kluj. "Nuk kemi frikë, sepse është viti i katërt që luajmë në Champions, pak a shumë me të njëjtët futbollistë. Vjet eliminuam Realin dhe asgjë nuk është e pamundur," - tha trajneri i Romës, Luçiano Spaleti.

Liverpuli, që rrezikoi seriozisht eliminimin në turin e tretë paraeliminator, do të jetë në Grupin D, së bashku me Atletikon e Madridit, e cila fitoi 4-0 ndaj Shalkes, të mërkurën. Këtë grup, që konsiderohet si grupi më i fortë, e kompletojnë edhe dy skuadra të tjera me pretendime, Marseja dhe PSV Eindhoven. Marseja dhe Liverpuli janë ndeshur me njëra-tjetrën në edicionin e kaluar, por fakti më interesant është se Fernando Torres do të jetë i detyruar të luajë si kundështar ndaj Atletikos së Madridit, në "Visente Kalderon", atje ku u rrit dhe mori pseudonimin "El Ninjo".

Ndërkohë, skuadra tjetër angleze, Arsenali, do të jetë në një grup të vështirë me Fenerbahçen, gjysmëfinaliste e edicionit të kaluar me Porton, kampione e Portugalisë, dhe me Dinamon e Kievit, e cila duket se është rikthyer ajo e kohëve të arta. Në Grupin B, Interi, kampion i Italisë, mund të buzëqeshë. Italianët do të kenë si kundërshtar Verder Bremenin, Panathinaikosin dhe qipriotët debutues të Anorthosis. Rivalët janë për t'u respektuar, por duket qartë se skuadra e Mourinjos qëndron një shkallë mbi të tjetrat.

Juventus-Real është çifti më interesant në Grupin H, ku prania e Zenitit, fitues i Kupës UEFA, e shton ndjeshëm vështirësinë. Reali mban rekordin dhe e ka fituar nëntë herë Championsin, ndërsa bardhezinjtë italianë vijnë nga dy sezone shumë të vështira rindërtimi. Zeniti, kampion i Rusisë, synon surprizën, ndërsa skuadra e katërt do të jetë Bate Borisov. Bjellorusët marrin pjesë për herë të parë në fazën me grupe, pasi eliminuan Levskin e Sofjes në turin e tretë paraeliminator.

Barcelona, dy herë kampione e Europës, do të jetë në Grupin C, së bashku me portugezët e Sportingut, zvicerianët e Bazelit dhe ukrainasit e Shahkjtarit. Në Grupin F, Lioni, tetë herë kampion i Francës, do të synojë suksesin në Europë në një tjetër "grup të hekurt". Kundërshtarët e tyre do të jenë Bajerni i Mynihut, Fiorentina dhe Steaua e Bukureshit. Ky është një tjetër "grup i vdekjes". Trajneri i Lionit, Klod Pyel, tha: "Futbolli rumun është rritur ndjeshëm, ndërsa Fiorentina shkoi në gjysmëfinalet e Kupës UEFA dhe shkëlqeu në Itali. Bajerni nuk ka nevojë për fjalë. Kudo do ta kemi të vështirë fitoren". Ndeshjet e para të fazës me grupe do të luhen të martën dhe të mërkurën, më 16 dhe 17 shtator.

-----------Grupi A

Çelsi (Angli)

Roma (Itali)

Bordo(Francë)

Kluj (Rumani)

Grupi B

Inter (Itali)

Verder B (Gjermani)

Panathinaikos (Greqi)

Anorthosis (Qipro)

Grupi C

Barcelona (Spanjë)

Sporting L(Portugali)

Bazel (Zvicër)

Shakhtar (Ukrainë)

Grupi D

Liverpul(Angli)

PSV (Holandë)

Marsejë (Francë)

Atletiko M(Spanjë)

Grupi E

Mançester U(Angli)

Vilareal(Spanjë)

Sëlltik (Skoci)

Alborg (Danimarkë)

Grupi F

Lion (Francë)

Bajern M (Gjermani)

Steaua B (Rumani)

Fiorentina (Itali)

Grupi G

Arsenal (Angli)

Porto (Portugali)

Fenerbahçe (Turqi)

Dinamo Kiev(Ukrainë)

Grupi H

Real M (Spanjë)

Juventus (Itali)

Zenit (Rusi)

BATE(Bjellorusi)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›