E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmime për Kristiano Ronaldon dhe Çelsin

Futbollisti më i mirë: K.Ronaldo (Man.Utd)

Portieri më i mirë: P.Çeh (Çelsi)

Mbrojtësi më i mirë: Xh.Terri (Çelsi)

Mesfushori më i mirë: F.Lampard (Çelsi)

Sulmuesi më i mirë: K.Ronaldo (Man.Utd)

Çelsi fitoi tri nga katër çmimet e futbollistëve më të mirë në secilin prej reparteve, gjatë edicionit të kaluar të Ligës së Kampioneve. Çmimin tjetër e fitoi Kristiano Ronaldo i Mançesterit. Çeh e ka humbur duelin me Van der Sarin, gjatë goditjeve të 11-metërshave në Moskë, por kjo nuk e ka penguar portierin nga Çekia që të shpallet numri 1 më i mirë i edicionit të kaluar. Çelsi u mund nga Mançesteri në finale, por edhe në rolin e qendërmbrojtësit, Xhon Terri është vlerësuar përpara Rio Ferdinandit. Kapiteni i ri i Anglisë, i rizgjedhur nga Kapelo, i falënderoi shokët e skuadrës. "Për mua, personalisht, marrja e këtij çmimi është diçka e mrekullueshme, - tha Terri, i cili humbi penalltinë vendimtare në Moskë. Që të jesh mbrojtës i mirë, ka nevojë për shumë aftësi. Duhet ta lexosh lojën shumë mirë, të jesh i shpejtë, i fortë dhe i gatshëm në luftën në ajër. Por nuk mund të bësh asgjë, nëse nuk i ke shokët e duhur rreth vetes. Fatmirësisht, unë kam pranë më të mirët e mundshëm!"

Fjalët e Territ konfirmohen nga fakti se nga skuadra "blu" vjen edhe mesfushori më i mirë. Ky çmim u mor nga Frenk Lampard, autor i golit të barazimit në finale. Këtë verë anglezi ishte pranë kalimit tek Interi, por vendosi të qëndrojë në "Stemford Bridxh". "Ky vlerësim të bën të ndihesh mirë. Luan në Champions, atje ku janë më të mirët, dhe t'i vlerësohesh mbi ta. Kam qenë në këtë listë tri vitet e fundit dhe jam krenar për këtë," - tha Lampard.

Embëlsira vjen në fund! Çmimin e sulmuesit dhe futbollistit më të mirë të edicionit të kaluar të Ligës së Kampioneve e fitoi Kristiano Ronaldo, i cili me dhjetë gola u shpall edhe golashënuesi më i mirë. Portugezi pason brazilianin Kakà, fitues në edicionin e kaluar. Pyetjes se ku qëndron sekreti i suksesit, Ronaldo iu përgjigj: "Puna! Unë mendoj se Mançesteri pati një sezon madhështor, dhe unë shënova shumë gola. Jam krenar për këtë çmim dhe i falënderoj të gjithë ata që më kanë votuar. Jam shumë i lumtur!".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›