E Diel, 1 Nëntor 2026

Liga e Kampionëve, zbardhen disa nga enigmat

Grupi E: Italianët e Fiorentinës siguruan mbrëmë kualifikimin falë fitores 1-0 përballë Lionit, i cili e kishte siguruar që një ndeshje më parë.

Viktimë e këtij grupi ra Liverpuli, i cili pas shumë vitesh eliminohet nga Liga e Kampionëve që në fazën e grupeve. Anglezëve nuk u hyri në punë fitorja minimale 1-0 në transfertën e Debreçenit, duke i larë duart me evenimentin më të madh futbollistik, megjithëse do të luajë edhe një ndeshje me Fiorentinën brenda në fushën e vet.

Pra, Fiorentina dhe Lioni do të vazhdojnë rrugën në Ligën e Kampionëve, Liverpuli do të luajë në Ligën e Evropës, ndërkohë që Debreçeni do të kthehet duarbosh, ndoshta edhe me zero pikë.

Grupi F: Ndeshja më e rëndësishme e mbrëmjes së kaluar ishte ajo mes Barcelonës dhe Interit. Spanjollët mposhtën italianët me rezultatin e pastër 2-0 pa ndonjë vështirësi të madhe, megjithëse u mungonin dy lojtarët kryesorë, Lionel Mesi dhe Zllatan Ibrahimoviç. Kështu, Barcelona rimerr kreun e grupit F, por pa arritur të sigurojë kualifikimin pasi të katërta ekipet ndodhen ende në lojë.

Në ndeshjen tjetër Rubin Kazani dhe Dinamo e Kievit barazuan 0-0, duke i mbajtur gjallë shpresat deri në ndeshjen e fundit. Rusët nga Kazani ndeshjen e  fundit do ta luajnë në fushën e Interit, ndërsa Dinamo do të presë kampionët në fuqi të Barcelonës.

Grupi G: Renxhersi i Glasgout zhgënjeu sërish në fushën e vet duke u mposhtur 2-0 nga gjermanët e Shtutgartit. Në ndeshjen tjetër Unirea Urziçeni surprizoi sërish duke mposhtur Seviljan, e cila e kishte arritur kualifikimin që një ndeshje më parë.

Bileta e dytë për turin tjetër do të diskutohet në përballjen direkte mes Shtutgartit dhe Unireas, ndërkohë që Renxhersi dështon duke u kthyer në shtëpi.

Grupi H: Arsenali nuk fal as këtë herë duke fituar pastër 2-0 përballë Standadit të Liezhit. Në ndeshjen tjetër Alkamari dhe Olimpiakosi u ndani në barazim 0-0, rezultat që i jep biletën këtyre të fundit për turin tjetër.
Ndërkohë, në ndeshjen e fundit Alkamri do të diskutojë me Liezhin vendin e tretë, i cili të çon në Ligën e Evropës.

Rezultatet e Ligës së Kampionëve dhe renditjen në grupe mund t’i shihni në logon e këtij kompeticioni në indeks.     

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›