E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligjëratat për drejtësinë nga njerëzit me precedentë penalë të oborrit të Edvinit

02-02-2012 / Redaksionale

I veshur me të zeza, prapa kish një sfond kuq e zi me dedikim 21 janarit dhe fjala drejtësi e shënuar me të kuqe dhe zëri plot bashkëtingëllore janë detajet më të veçanta të fjalimit të djeshëm të kreu të Partisë Socialiste në tryezën e grupit të punës për drejtësinë. Edi Rama ligjëroi në mënyrë të drejtë për të thënë ca gjëra të zhdrejta. Sidomos kur pyeste BE-në për çështjen e rëndomta të drejtësisë shqiptare dhe e lidhte pa takt me qeverinë Berisha, kur është ashiqare e kundërta, që gjithë sistemin e drejtësisë e kryeson de jure nga Presidenti i Republikës dhe de fakto drejtohet nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (Imagjinoni se për reformën e drejtësisë referuan edhe dy deputetet e dënuara nga gjykata për shpifje, Ermonela Felaj dhe Shegë Ligori).
Mjerisht keqpërdorimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për interesa të ngushta dhe tejet karrieriste është reflektuar si ortek në gjithë sistemin e drejtësisë në vend. Ngase është e pamundur që nënkryetari ende në detyrë i KLD-së të kryeje për shumë muaj sipërmarrje politike duke devijuar qartësisht nga misioni i institucionit. Marrja me politikë përbën shkelje flagrante të detyrës. Nga marsi 2011, Spahiu ka zhvilluar 43 mitingje duke ligjëruar kundër sistemit politik. Me çfarë guximi institucional dhe leje morale kapërcehen detyrat funksionale të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të çuar letra provokuese kancelarive fqinje me vulën e deleguar nga Presidenti i Republikës. Ku i çon mushka këto njerëz të paedukuar me sensin e ligjit dhe detyrës.
Kuptohet vetiu, Edi Rama e kupton mirë që drejtësia nuk është në dorë të qeverisë (dhe as duhet të jetë) pse po të ishte kështu nuk do të ishte e “revoltuar” me standardin e dyfishtë të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Gjykatës Kushtetuese në disa raste. Ramës i intereson që prokuroja e përgjithshme Rama të japë pretencën jo në një sallë gjyqi normale, por në një sallë gjyqi të opinionit publik, i cili peshon vetëm çka i jepet të dijë dhe jo tërësinë e çështjesh dhe rrethanave të caktuara. Sigurisht, kur gjërat nuk janë në favor të tij del në konferencë shtypi për të deklaruar se “drejtësia vdiq”.
Gjithashtu kreu i opozitës edhe pse dje takoi grupin e punës për reformën në drejtësi ka kohë që refuzon të japë pëlqimin e tij për të votuar ngritjen e Gjykatës Administrative pa asnjë arsye, duke rënduar punën e gjykatave. E gjitha është një lojë politike për të përvetësuar drejtësinë sipas interesante të një klani të ngushtë. Patjetër është standardi i dyfishtë që përdor Rama kundrejt sistemit të drejtësisë që minon besueshmërinë e formulave të opozitës. Ai për “bëmat” e djemve të deputetëve të PS-së nuk ka shpenzuar qoftë dhe një fjalë të vetme. Sigurisht duhesh të kesh këllqe të forta për të dalë kundër Gramoz Ruçit apo Arta Dades për shkak të problemeve me drejtësinë.
Sidoqoftë nga ky soj është i përbërë Edi Rama, që tjetër është dhe tjetër shfaqet në publik. Dhe kjo sjellja shtinjake, me maskë amorale për çështje thelbësore po e dobëson për ditë e më shumë, pasi që qytetarët e lexojnë mirë politikën e tij. Njerëzit e njohin për gjestet e bojkotit, të djegies së gomave e bllokimit të rrugës, të grevës së urisë në bulevard, të demonstratës së dhunshme me gjak të pafajshëm të çuar si mish për top vetëm për të larë duart me gjak nga një kauzë e humbur të mëparshme. Njerëzit e njohin më shumë për  veset e mëdha, që në fakt i errësojnë gjithçka.  

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›