E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasje fizike mes drejtuesve të PS, Fino, Klosit dhe Veliaj bëjnë sehir

02-02-2012 / Gazeta 55

Asambleja e degës së Partisë Socialiste në Lushnjë degjeneron në dhunë fizike


Degjenerojnë njëra pas tjetrës, Asambletë lokale të PS-së. Pas mbledhjes së Asamblesë së kësaj partie në Berat, ku të deleguarit nga Tirana, Namik Dokle dhe Ben Blushi, u detyruan të braktisin takimin, pas revoltës së anëtarësisë lokale të kësaj partie, degjenerimi është zhvendosur dje në Lushnje. Këtë herë, kanë qenë drejtuesit lokalë të PS-së, që janë përplasur fizikisht me njëri-tjetrin, ndërsa të deleguarit nga Tirana, Bashkim Fino, Blendi Klosi e Erion Veliaj, thjesht kanë bërë rolin e sehirxhiut. Protagonistë të sherrit banal në Lushnje, që kulmoi me dhunë reciproke fizike, kanë qenë ish-kryetari Llazar Sefa dhe kryetari aktual Bujar Çela. Ka qenë fillimisht Sefa që ka akuzuar Çelën si të paaftë për të drejtuar degën lokale të partisë në Lushnje. Ndërsa, nga ana e tij, kryetari aktual i është drejtuar pararendësit të tij me fjalët se është i lirë që të ikë nga PS-ja, në rast se nuk i pëlqen mënyra e drejtimit. Kaq është dashur dhe më pas debatet janë kthyer deri në dhunë fizike. Por siç mësohet nga burime brenda Asamblesë së degës së PS-së së Lushnjës, e gjithë kjo dhunë verbale e fizike, ka ndodhur në prezencë të të deleguarve Bashkim Fino, Blendi Klosi dhe Erion Veliaj, të cilët, të gjendur ngushtë dhe duke mos dashur të jenë dëshmitarë, janë larguar menjëherë nga ambientet e mbledhjes, e cila në momentet e sherrit, ka qenë në fundin e saj. Duket se pas zgjedhjes së kryetarëve të rinj, po edhe me lëvizjet e fundit që ka propozuar Rama, ku në shumë qarqe janë zëvendësuar të deleguarit e kryesisë, janë rritur tensionet në bazën socialiste. Një ditë më parë me tonë të ashpra është zhvilluar mbledhja e asamblesë së Beratit, ku anëtarët e saj kanë kundërshtuar me forcë largimin e Erion Braçes drejt Korçës. Vetë Braçe është shprehur se nuk do të lëvizë nga Berati, dhe kjo që po ndodh është çorganizim i partisë dhe jo organizim i saj. Por nuk është vetëm Erion Braçe që ka kundërshtuar lëvizjen e tij nga zona elektorale, por edhe anëtarë të tjerë të kryesisë nuk kanë rënë dakord me këto lëvizje. Kjo sepse shumica e tyre kanë vite që kandidojnë në këto zona dhe e njohin mirë mentalitetin e anëtarësisë. Vetë Edi Rama e ka quajtur si riorganizim të partisë, por në shumë raste kjo ka sjellë çoroditjen e bazës, e cila, e mësuar tashmë me figurat e saj, s’mund ta pranojë faktin e ndërrimit të funksionarëve të lartë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›