E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligjet me 3/5-at, mazhoranca rikërkon votat e opozitës

06/10/2011  Javën tjetër BE do të paraqesë raportin e progresit për Shqipërinë

Në seancë e ditës së sotme, pesë drafte që kërkojnë shumicë të cilësuar

Herion Mesi

Pasi nuk u futën në procedurë votimi një javë më parë, sot ligjvënësit e mazhorancës dhe të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë kanë shansin e fundit për të miratuar ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar prej 84 votash. Ndryshe nga një javë më parë, mazhoranca i kërkon pozitës votat e saj jo vetëm për Gjykatën Administrative dhe Kodin Penal, por listës së projektligjeve që kërkojnë tri të pestat e votave i janë shtuar projektligji “Për Kodin Detar”; projektligji “Për Kodin Rrugor” dhe projektligji “për Kodin Ajror”. Seanca e sotme në Kuvend është e fundit, pasi të mërkurën e ardhshme, më 12 tetor, Komisioni Europian do të publikojë raportin e progresit për Shqipërinë, që sipas të gjitha gjasave nuk do të rekomandojë dhënien e statusit për vendin kandidat. Duke iu referuar deklaratave të fundit nga dy kampet politike, sot nuk pritet të ndodhë asgjë e re sa i përket qëndrimeve të tyre, ku konsensusi mes PD-së dhe PS-së duket ende larg. Në seancën plenare të një jave më parë kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi dorëzoi në Kuvend paketën me 10 pika, për të cilat kjo parti kërkon konsensusin nga mazhoranca në këmbim të votës për ligjet që duan shumicë të cilësuar. Kërkesa e Partisë Socialiste është refuzuar nga mazhoranca, e cila deklaroi hapur se nuk do të bëjë dorëzim pushtetesh në tavolinë, siç kërkon kryetari i PS-së Edi Rama.Gjithashtu në sot Kuvend me kërkesë të deputetit socialist Erion Braçe do të zhvillohet interpelancë me ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve Sokol Olldashi.

Votimi i ligjeve

Për realizimin e 12 detyrimeve të vendosura nga evropianët një vit më parë është i nevojshëm vullneti politik i opozitës për të votuar një sërë ligjesh dhe kodesh që kërkojnë 3/5 e votave të deputetëve në Kuvend. Deri tani Kuvendi ka shtyrë votimin e projektligjeve që duhen miratuar me 84 vota dhe për të cilat opozita kërkon rishqyrtimin në komisione. Një javë më parë opozita u shpreh e mendimit se duhet të ndryshohet fillimisht Rregullorja e Kuvendit e më pas të diskutohet për reformat. Nga ana e tyre demokratët theksojnë se, nëse socialistët nuk votojnë ligjet me 3 të pestat e votave, ky do të jetë një bojkot i ri i Kuvendit prej tyre dhe tërheqje pas e premtimeve të tyre për bashkëpunim parlamentar në dobi të integrimit europian.

Gjykata Administrative

Në seancën e sotme është parashikuar që në rend të ditës do të jetë ligji për Gjykatën Administrative. Miratimi i projektligjit “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative” u kërkua dje edhe nga bizneset e Dhomës Amerikane të Tregtisë në një takim që zhvilluan me Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli.

Kodi Penal

Sot në Kuvend ligjvënësit pritet të diskutojnë edhe mbi katër nismat “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1998, «Kodi Penal i republikës së Shqipërisë», i ndryshuar”, miratimi i të cilit kërkon shumicën e cilësuar prej 84 votash. Projektligji “Për Kodin Penal” nuk u hodh në votim nga Kuvendi në seancën e një jave më parë.

Kodi Detar

Ndërsa një javë më parë mazhoranca kërkonte vullnetin e opozitës për votimin e ligjit të Gjykatës Administrative dhe Kodit Penal, Kuvendi në rend të ditës në seancën e sotme plenare ka futur dhe dy nismat e tjera legjislative që kërkojnë 84 vota e që kanë të bëjnë me disa shtesa e ndryshime në ligjin nr.9251 datë 8.72004, “Kodi Detar”.

Kodi Rrugor

Rikthimi i opozitës në Kuvend me premtimin se do të japë votën për ndryshimin e ligjeve që duan 84 vota ka bërë që mazhoranca të rikthejë me shpejtësi Kodet. Por ndryshimet e Kodit Rrugor, që kanë në thelb rritjen e gjobave për kundërvajtjet rrugore në një masë që arrin deri në katër herë, nuk janë miratuar nga përfaqësuesit e PS-së në komisionet parlamentare.

Kodi Ajror

Në programin e punimeve të Kuvendit është përfshirë dhe projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 10.040, datë 22.12.2008 «Kodi Ajror i Republikës së Shqipëris뻔. Miratimi i kësaj shtese kërkon sërish vullnetin politik të opozitës, pasi mazhoranca e vetme nuk e ka kuorumin e nevojshëm prej 84 votash. Zyra e shtypit e Kuvendit njofton se në rendin e ditës janë edhe një sërë ligjesh të tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›