Ligji do të dërgohet në Gjykatën e Strasburgut
02/02/2010 PD denoncon rrëzimin e ligjit “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë”
Mesila Doda: “Referendum popullor, që xhelatët të mos qëndrojnë më në pushtet”
Mazhoranca deklaron se rrëzimi i ligjit “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” nga ana e Gjykatës Kushtetuese përbën një veprim krejtësisht të padrejtë dhe një mbështetje ndaj autorëve të krimeve politike gjatë periudhës së ditatutës komuniste në Shqipëri. Partia Demokratike shprehet tejet e indinjuar ndaj vendimit marrë nga trupa e Gjykatës. Deputetja demokrate Mesila Doda, thekson se megjithëse vendimi shkon në linjë të kundërt me interesin për zbardhjen e krimeve të komunizmit dhe largimin e xhelatëve komunistë, PD-ja do të vazhdojë aksionet e saj politike në funksion të miratimit të këtij ligji. Ajo ka theksuar ditën e djeshme se deputetë të PD-së do të ndërmarrin hapa konkretë duke përgatitur një ligj të ri për lustracionin, njohur ndryshe si “ligji i dosjeve” dhe do t’u kërkohet qytetarëve shqiptarë të shprehen në lidhje me ligjin e vjetër. “Së bashku me kolegë të tjerë, nuk do të ngurrojmë që të ndërmarrim nismën e një referendumi popullor, në mënyrë që xhelatët të mos qëndrojnë më në pushtet dhe që Shqipëria të ndahet një herë e përgjithmonë nga e kaluara e saj komuniste”, tha deputetja Doda. Po ashtu, ligjvënësja demokrate, duke përcjellë qëndrimin zyrtar të forcës politike që përfaqëson, tha se ligji, i cili u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, do të dërgohet në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. “Për të realizuar këtë do të konsiderohen disa opsione. Së pari, paraqitja e një ligji të ri në Parlament për pastërtinë e figurave të shtetit shqiptar. Së dyti, dërgimi i këtij ligji në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg”, theksoi ajo. Deputetja Doda në qëndrimin e saj ka akuzuar opozitën për presione ndaj Kushtetueses. Sipas saj, të nëntë anëtarët e Gjykatës morën vendimin për të rrëzuar “ligjin e dosjeve”, edhe për shkak të presioneve të shumta nga ana e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama.
Ligji i lustracionit gjatë procesit të shqyrtimit të tij në Kuvend ka hasur oponencë të fuqishme nga të gjitha partitë në opozitë dhe nga Shoqata e Gjyqtarëve. Shoqata u bë palë me oponentët e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese. Pikërisht nga ky moment, Partia Demokratike mendon se vendimi unanim për të shpallur si antikushtetues ligjin vjen nga një trupë gjykuese tërësisht në konflikt interesi, e cila prekej prej tij. “Gjykatësit që votuan për abrogimin e ligjit janë po ata, që kanë marrë vendime për vrasje njerëzish të pafajshëm deri në vitin ’89. Janë po ata, mbi të cilët rëndojnë krimet më të rënda kundër njerëzimit në këtë vend”, tha Doda. Ligjvënësja demokrate në këtë deklaratë të saj niset edhe nga fakti se disa prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si kryetari Vladimir Kristo, Fehmi Abdiu dhe Kujtim Puto janë përfolur në shtypin shqiptar si njerëz që preken nga ligji “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë”. Ky fakt u përmend edhe nga një letër, që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i dërgoi rreth një vit më parë Gjykatës Kushtetuese, duke u kërkuar anëtarëve të Gjykatës që kishin konflikt interesi, sipas përcaktimeve të ligjit për lustracionin, të hiqnin dorë nga gjykimi. Në këtë letër theksohej se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, sipas ligjit, i nënshtrohen procesit të verifikimit. Ecuria e shqyrtimit të ankimimit të ligjit ka qenë një ndër çështjet për të cilën dy raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u interesuan gjatë misionit të tyre për mbledhjen e fakteve në vendin tonë në fillim të nëntorit të kaluar. Britaniku David Uilshire dhe finlandezi Jako Lakso u interesuan për ecurinë e shqyrtimit të ankimimit në Kushtetuese.
Gjatë debateve publike dhe politike në lidhje me këtë ligj, mazhoranca ka theksuar se institucionet shtetërore duhet të pastrohen nga ish-bashkëpunëtorët e shërbimeve sekrete gjatë periudhës së komunizmit. Qëllimi i demokratëve ishte pastrimi kryesisht i organeve të sistemit të drejtësisë nga këta persona. Ligji, që synon hapjen e dosjeve, u miratua nga Kuvendi vetëm me votat e deputetëve të mazhorancës. Forcat e majta në opozitë kundërshtuan këtë ligj, duke e cilësuar atë antikushtetues. Për këtë arsye, 36 deputetë socialistë iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar pezullimin e zbatimit të këtij ligji. Kërkesa e tyre konsistonte në shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të ligjit.
Lustracioni
Ligji kundër krimeve të komunizmit
Rrëzimi i ligjit për lustracionin pritet të bëjë të pazbatueshëm dhe një ligj tjetër, që ka të bëjë me ngjarjet e periudhës komuniste, atë “Për krijimin e institutit të studimeve të krimeve dhe pasojave të komunizmit në Shqipëri”. Ligji është dorëzuar që më 14 janar të vitit 2009 në Kuvendin e Shqipërisë, por që burime nga Qeveria shprehen se së shpejti do të rikthehet sërish për ndryshime të mëtejshme. Ky ligj është i kushtëzuar në miratimin e tij nga ligji për lustracionin të paktën në dy nene. I pari është neni 7, që bën fjalë për emërimin e bordit drejtues, ku në pikën 2 të tij përjashtohen të gjithë personat që preken nga ligji “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”. Pika tjetër ku ligji bëhet i pazbatueshëm është neni, i cili flet për evidentimin e personave përgjegjës që kanë qenë pjesë e organeve komuniste, por që nuk përjashtohen që të jenë sot në funksione publike, gjykatës, prokurorë apo dhe funksionarë të lartë të shtetit, të cilët sërish i shpëtoi rrëzimi i ligjit të parë. Ndërkohë burime nga Qeveria shprehen se kjo ka qenë pikërisht arsyeja që drejtoria juridike pranë Këshillit të Ministrave, po përgatitet të tërheqë ligjin në fjalë. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh që viti 2009 ishte dhe një vit elektoral, të djathtët kanë evituar diskutimin e tij për të mos pasur ngarkesë negative përpara fushatës. E djathta u mjaftua me diskutimi për ligjin e lustracionit, i cili hapi goxha debate. Nga ana tjetër, si nga ana e Kuvendit, ashtu dhe nga ana e Qeverisë, nuk dinë të japin një përgjigje se çfarë do të bëhet me dënimin e krimeve të komunizmit, pasi ngritja e institutit kishte si qëllim pikërisht evidentimin e krimeve të tij. Duhet theksuar se Shqipëria është vendi i fundit në Evropën lindore, që nuk ka dënuar masakrat e kryera nga regjimi i kaluar, dhe duket se dhe për një periudhë relativisht të gjatë kohe nuk ka për t’u ndezur drita jeshile për këtë çështje. Para së gjithash, sepse evidentimi dhe studimi i krimeve të komunizmit do të kërkojë një periudhë të gjatë kohe, pasi puna nuk do të bazohet vetëm në shqyrtimin e dokumenteve, por dhe në mbledhjen e dëshmive etj.
Precedenti
Gjykata Kushtetuese fsheh vendimin për dosjet
Ndonëse kanë kaluar mbi dy muaj nga vendimi që trupa e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese kanë marrë vendimin ndaj kërkesës ankimore të Partisë Socialiste për ligjin e lustracionit, ky institucion nuk e ka publikuar zyrtarisht vendimin në faqen e vet zyrtare, duke e fshehur atë. Janë pikërisht këto institucione bazë të funksionimit të shtetit të së drejtës, që vënë theksin tek transparenca, si një nga parimet themelore të demokracisë, por janë ato të parët që nuk e respektojnë këtë parim. Burime zyrtare nga Gjykata Kushtetuese konfirmojnë vendimin e Kushtetueses, por justifikojnë mospublikimin e vendimit me moszbardhjen e arsyetimeve të detajuara që secilin anëtar e ka çuar në këtë vendimmarrje. Nën arsyetimin se kjo tashmë është një procedurë e institucionit, ky standard nuk përdoret për të gjitha rastet e vendimeve. Jo më larg se disa ditë më parë Gjykata Kushtetuese nuk e respektoi procedurën në fjalë kur publikoi zyrtarisht vendimin e marrë prej saj ndaj një tjetër ankese të socialistëve, siç ishte ajo për marrëveshjen me Greqinë për kufijtë detarë. Vetëm pak orë pas vendimmarrjes, zyrtarisht Kushtetuesja njoftoi vendimin të shoqëruar me sqarimin se “vendimi i arsyetuar i kësaj Gjykate do të vihet në dispozicion në një kohë tjetër të përshtatshme”.
Letra e Topallit
Rreth një vit më parë, më 13 shkurt 2009, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përmes një letre i ka paraqitur Gjykatës Kushtetuese të gjitha komentet e saj rreth një gjykimi kushtetues të ligjit të lustracionit, në përputhje me parimet kushtetuese të një procesi të rregullt ligjor, si dhe parimet e gjithëpranuara të së drejtës. “Ligji kërkon shprehimisht respektimin rigoroz të paanësisë dhe mungesën e çdo konflikti të interesit edhe të anëtarëve të trupës gjyqësore, që shqyrton këtë ligj”, theksohej në letrën e Topallit.
Konflikti i interesit
Në muajin maj të vitit të shkuar, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën për konflikt interesi të saj me ligjin e lustracionit. Gjyqtarët me tetë vota pro dhe asnjë kundër e vlerësuan antikushtetuese kërkesën e përfaqësuesit të Qeverisë, zëvendësministrit të Drejtësisë Viktor Guma, për të larguar nga gjykimi i kësaj çështjeje katër nga gjyqtarët e saj. Sipas Gumit, kryetari i Kushtetueses, Vladimir Kristo dhe anëtarët Fehmi Abdiu, Kujtim Puto dhe Petrit Plloçi s’duhet të gjykojnë kërkesën e socialistëve, pasi kanë konflikt interesi.
Komisioni i Venecias
Komisioni i Venecias në përgjigjen ndaj kërkesës së Gjykatës Kushtetuese për ligjin e lustracionit, e ka vlerësuar atë antikushtetuese. Kushtetuesja iu drejtua këtij institucioni me një letër, ku i kërkoi sugjerim rreth kërkesës së deputetëve që kërkonin rrëzimin si antikushtetues të ligjit për pastërtinë e figurës të funksionarëve të lartë. Ndërsa Kryeparlamentarja Topalli, gjatë prononcimi për mediat në tetor të 2009-ës, tha se institucioni që ajo kryeson do të respektojë vërejtjet e komisionit të Venecias për këtë ligj.