Pikat që “tradhtuan” përgjegjësin e Gërdecit
02/02/2010 Arrestohet në gjykatë Veiz Muça për dëshmi të rreme. Në Prokurori deklaroi ndryshe
Dëshmia e plotë e Muçës në gjykatë. Tre fazat që e lanë zbuluar para “miqve”
TIRANË- Veiz Muça, i njohur ndryshe me emrin “Vangjeli” për të gjithë punëtorët e Gërdecit, përfundoi në pranga sapo kishte dhënë një dëshmi të rreme. I gjithë deklarimi u cilësua si i rremë nga akuza dhe kjo e fundit urdhëroi policinë të kryente arrestimin me akuzën e “dëshmisë së rreme”. Kësisoj Muça rrezikon një dënim nga gjobë deri në 4 vjet burg. Gjatë procesit gjyqësor, ish-përgjegjësi i fabrikës, u mundua të mohojë disa fakte për të cilat Prokuroria është shprehur se janë vërtetuar, madje janë pranuar edhe nga vetë drejtori i fabrikës, Dritan Minxholli. Kështu dje gjatë seancës gjyqësore, Veiz Muça deklaroi se, në Gërdec nuk kanë qenë të punësuar fëmijë të mitur, teksa në procesverbalin e Prokurorisë kishte thënë të kundërtën. Në procesverbalin e Prokurorisë thuhej se karrocat e fabrikës saldoheshin tek shtëpia e Deliut, ndërsa në sallë ai tha se ato saldoheshin nga një burrë që vinte me makinë në fabrikë. Në sallë tha se në shpërthimin e parë ka qenë duke ngrënë drekë me Minxhollin në lokal, ndërsa në procesverbal kishte thënë se në shpërthimin e parë ka qenë tek dera e fabrikës. Pasi i janë vënë prangat, Veiz Muça nuk ka bërë asnjë rezistencë, madje nuk ka dhënë ndonjë deklaratë. Pas veprimit të djeshëm të akuzës numri i të arrestuarve për tragjedinë e 15 marsit arrin në 30.
Dëshmia në gjykatë
Në dëshminë e tij, ditën e djeshme Veiz Muça deklaroi në gjykatë se “Më datë 28 qershor më ka marrë në telefon Dritan Minxolli, i cili më tha: ‘Hajde në Gërdec’. Në fakt Dritan Minxolli më ka telefonuar 10 ditë para dhe unë i thashë që do shkoja të punoja. Kam takuar Dritanin, i cili më tha që do të punoja si brigadier. Procesi ku unë do të punoja si brigadier ishte demontim fishekësh këmbësorie dhe procesi i hapjes së arkave kryhej si në ushtri. Në fabrikë vinin rreth 10-15 makina ushtarake dhe më pas ndaheshin. Kishte një rregullore, e cila ishte e transplantuar nga rregullore ushtarake dhe i lexohej punëtorëve çdo mëngjes dhe ishte e shkruar në një fletë formati. Një pjesë e rregullores tregonte sesi do të bëhej transporti, ruajtja dhe hapja e fishekëve. Nuk kam pasur dhe as kam lidhur ndonjë kontratë punësimi, kam punuar deri në fund si brigadier. Unë kisha nën varësi grupet e demontimit, në fabrikë kishte edhe shtetas të huaj. Këta ishin Robin, David dhe Patrick Henry. Merrja municionet që vinin dhe ia ndaja grupeve të punës. Ditën kur erdhën predhat në fabrikë ishte Dritan Minxolli, Sokol Ngjeçi dhe Mihal Delijorgji. Demonstrimi i hapjes së arkave u krye nga Sokol Ngjeçi. Transporti i barutit bëhej nëpërmjet trajlerave. Mihal Delijorgji kur vinte në fabrikë takonte Dritan Minxollin. Ylli Pinarin e kam parë vetëm një rast kur ka ardhur në fabrikë. Sokol Ngjeçin nuk e di se me çfarë merrej në fabrikë, pasi ai vinte dhe ikte. Në fabrikë demontoheshin fishekë të kalibrit 8 milimetërshe, por demontimi i tyre bëhej nga amerikanët. Gëzhojat e fishekëve ishin prej tunxhi dhe çeliku, këto të fundit nuk demontoheshin në fabrikë. Punëtorët kontrolloheshin nga rojet kur futeshin në fabrikë. Nuk kishte fëmijë të mitur që të punonin tek procesi i demontimit. E di që vinin ushtarakë në fabrikë, por si kam njohur me emra. Personi që merrej me saldimin e karrocave vinte në fabrikë rreth orës 10 dhe më pas largohej, nuk e di nëse ka salduar ndonjë karrocë ditën e ngjarjes. Transporti i predhave bëhej me fadromë, ndërsa i barutit me anë të karrocave. Kur prisheshin karrocat ato zëvendësoheshin ose riparoheshin nëpërmjet saldimit. Vinte ustai në fabrikë me makinë dhe i saldonte brenda në fabrikë karrocat. E njoh shtetasin Qemal Deliu, ai punonte aty në fabrikë. Nuk e mbaj mend nëse ka bërë saldime apo jo. Ditën e ngjarjes në orën 12, drejtori u dha urdhër punëtorëve që të ndërprisnin punën dhe të shkonin të hanin drekë. Unë u largova 10 minuta para për të ngrënë bukë dhe shkova bashkë me drejtorin tek restoranti poshtë. Dritan Minxolli kishte dhënë urdhër që të mos bëhej më transport baruti. Kur ndodhi shpërthimi i parë unë isha bashkë me Minxollin në restorant për të ngrënë bukë. Sapo dëgjuam shpërthimin u kthyem për në punë, u nisëm me makinë me Dritanin. Nga shpërthimi i dytë unë humba shikimin”.
“Gracka” e Minxhollit
“Unë kam punësuar në fabrikën e Gërdecit 16 të mitur. Pranoj se kam gabuar dhe në momentin që kam bërë punësimin kam marrë edhe riskun përsipër”. Ky është deklarimi i herëpashershëm që Dritan Minxholli, ish-drejtori i fabrikës së Gërdecit bën në gjykatë, duke mbajtur të njëjtën taktikë, duke pranuar fajin e punësimit të të miturve, siç duket me synim për t’iu shmangur ndonjë akuze tjetër më të rëndë se kjo.
Dëshmia e Uran Deliut. Në dyshim versioni i akuzës
“Më 15 mars babai nuk saldoi karrocë në shtëpi”
TIRANË- Uran Deliu, banori i Gërdecit, të cilit i janë vrarë pesë persona gjatë shpërthimit, tha se: “Ditën e ngjarjes ndodhesha në shtëpi, e cila ndahet nga fabrika vetëm nga një rrugë. Në ato momente unë isha në oborr me djalin dhe vëllain. Dëgjuam një shpërthim të fuqishëm dhe ikëm me vrap. U futa në një bunker dhe më pas u ktheva për të kërkuar familjen. Erdhi policia dhe së bashku me ata shkuam tek shtëpia ime, por nuk gjeta asnjë njeri. Mësova nga personat rreth e rrotull se prindërit e mi ishin në spitalin “Nënë Tereza”, ndërsa djalin, bashkëshorten dhe vëllain nuk arrita dot t’i gjeja. Gruan dhe vëllain i gjeta pasi kishin kaluar dy ditë nga shpërthimi, ndërsa djalin vetëm pas tre ditësh. Nga tragjedia e Gërdecit humba pesë anëtarë të familjes sime, nënën, babanë, gruan shtatzënë dhe djalin e vogël, ndërsa shtëpia u shkatërrua e gjitha nga shpërthimi. Gjatë kohës që prindërit punonin në fabrikë, kur unë kisha kohë të lirë shkoja dhe i ndihmoja. Si drejtues të fabrikës e dija që ishin Dritan Minxolli dhe përgjegjësi Vangjeli. Mihal Delijorgjin e kam parë në fabrikë, mbaj mend një rast zjarri në fabrikë, i cili u shua me ujë. Në fabrikë kishte karroca, të cilat kur prisheshin i saldonte babai tek shtëpia. Saldatorë të tjerë kam parë vetëm një herë kur u prish porta e madhe e fabrikës. Ditën e ngjarjes ka pasur një saldatriçe në oborrin e shtëpisë, por atë ditë babai nuk ishte në shtëpi. Ai nuk ka salduar asnjë karrocë atë ditë. Për sa i përket Vangjelit ose ndryshe Veiz Muça, ai vinte tek shtëpia ndonjëherë. Ndërsa Dritan Minxolli nuk futej brenda, por vinte deri tek dera e shtëpisë”.
Dëshmia e rreme, neni 306 i Kodit Penal
Dëshmia e rreme e bërë përpara gjykatës përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Kur dëshmia e rreme bëhet me qëllim fitimin apo çdo interes tjetër të dhënë apo të premtuar, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Po kjo vepër kur kryhet në lidhje me veprat penale të parashikuara nga nenet 234/a, 234/b, 284/a, 333 dhe 333/a të këtij Kodi, dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.