Rriten shpresat për kthimin e një përqindjeje të lekëve
02/02/2010 Administratorët e kompanisë rentiere “Vefa” marrin në drejtim shoqërinë “Apollon” në Greqi
Kreditorët e kompanisë rentiere “Vefa” do të kenë një tjetër mundësi për të përfituar përqindje të kthimit të shumave që ata mbyllën para vitit 1997 në këtë kompani. Mësohet se tashmë administratorët e kompanive rentiere kanë nisur procedurën për kalimin në administrim të tyre të pronave që Vefa ka në Greqi. Bëhet fjalë për shoqërinë “Poseidon”, të cilën “Vefa” e ka blerë në vitin 1996. Ndërsa pas plotësimit të dokumentacionit ka nisur dhe procedura e kalimit të kësaj pronësie tek administratorët e firmave piramidale. Do të jenë administratorët, që do të vendosin më pas për shitjen e aksioneve të kësaj kompanie dhe kthimin e shumës së përfituar tek kreditorët, apo përdorimin e fitimeve që mund të ketë kjo kompani në Greqi, për të rritur shumën e arkëtimeve dhe më pas kthimin e përqindjeve sa më të larta për shqiptarët që mbyllën lekët në firmat piramidale. “Për sa parashtruam më lart, administratori i shoqërisë “Vefa” shpk në administrim, të shpallë debitore Shoqërinë Anonime Turistike Tregtare dhe përfaqësinë e ndërmarrjes “Poseidon” AE, me adresë Glifadhë-Attikë, rruga “Metaksa” Nr. 32, Athinë, Greqi, për shumën 2.000.000 (dy milionë) usd amerikanë”, thuhet në njoftimin e dhënë. Ndërsa duket se të paktën 2 milionë dollarë do të jenë në dispozicion të kompanisë. Ndërsa duke parë se me kalimin e viteve dhe vlera e aksioneve mund të jetë rritur, edhe përqindja e kthimeve mund të jetë më e lartë. Por kjo mbetet në një tjetër procedurë dhe analizë që do të ndërmarrin administratorët.
Sipas të dhënave të publikuara në një marrëveshje paraprake, të lidhur në datën 05.04.1996, midis Faik Abushamala, aksioner te shoqëria “Poseidon” AE, Athinë, Greqi, dhe Vehbi Alimuçajt, president i shoqërisë “Vefa” Shpk, Tiranë, u ra dakord për shitjen 100% të aksioneve të shoqërisë “Poseidon” AE Athinë, Greqi. Deklarata e datës 13.08.1998, bërë nga Faik Abushamala dhe avokati i të prokuruarit të tij Dionis Gj. Buluka, bëhet e ditur se ka marrë nga Leka Vera, përfaqësues i autorizuar nga Vehbi Alimuçaj, shumën prej 2.000.000 usd amerikanë, nga fundi i muajit shkurt 1997, deri në muajin qershor 1997, me këste, të cilat tërësisht u vunë në dispozicion të shoqërisë të sipërpërmendur “Poseidon” AE, Athinë, Greqi. Ndaj dhe kontrata e shitjes së aksioneve nga Faik Abushamala, tek Anastasia Cakallu, e datës 27.07.1997, deklaron se njeh detyrimin ndaj Vehbi Alimuçajt, president i shoqërisë “Vefa” Shpk Tiranë. Në këto kushte, duke qenë se “Vefa” u shpall kompani rentiere, firmë piramidale, dhe se për administrimin e pronave të këtyre kompanive u ngritën grupe të posaçme, dhe për këtë pronë, të zbuluar në Greqi, do të ndiqet e njëjta procedurë si dhe me pronat që këto firma kanë pasur në Shqipëri.