Ligji i Investimeve Strategjike u shty për herë të pestë. Çfarë po përfiton ekonomia?

Nga viti 2016 kur hyri në fuqi e deri më sot, ligji i Investimeve Strategjike është shtyrë pesë herë.
Nga një ligj me afat kohor dy vjeçar është kthyer në një ligj që po zgjat një dekadë, pasi afati i fundit është viti 2026.
Ky ligj ka si qëllim të nxisë investimet e huaja në toka shtetërore dhe jo vetëm, të ofrojë standard dhe cilësi. Por, cili është bilanci i këtij ligji?
“Deri më tani kanë përfituar statusin e investitorit strategjik 55 projekte. 33 janë refuzuar, 29 janë në proces vlerësimi. Interesi më i madh është për sektorin e turizmit. Arsyeja pse u shty sërish ky ligj është se interesi mbetet i lartë dhe jo vetëm në ato gjashtë sektorë që qeveria i ka konsideruar strategjik”, sqaroi Pranvera Resulaj, deputete e PS, nismëtare e shtyrjes së ligjit për herë të pestë.
Por, cila është vlera e investimeve të tilla dhe çfarë përfitimesh pret qeveria nga projekte të tilla?
“Në total vlera e projekteve që kanë përfituar këtë status arrin në 6.2 miliard euro. Deri në fund të vitit 2030 parashikohet që të hapen rreth 25 mijë vende pune. Mbi të gjitha investime të tilla ofrojnë dhe standardë dhe cilësi në shërbimet që ofrojnë”, sqaroi Resulaj
Në vitin 2023, investimet e huaja në Shqipëri kapën shifrën e 1.5 miliard eurove. Kjo shifër konsiderohet rekord.
Sipas mazhorancës, rritja e investimeve të huaja është efekt që vjen si pasojë e ligjeve në fuqi, përfshirë dhe ligjin e investimeve strategjike. /vizionplus.tv