E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i SHISH, Rasmusen telefonatë Berishës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, i kujton kryeministrit Sali Berisha që të mos injorojë detyrimet që ka ndaj Aleancës së Atlantikut të Veriut


TIRANË - Ka qenë një telefonatë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen që ka zmbrapsur këmbënguljen e kryeministrit Sali Berisha për të kaluar në Kuvend draftin për disa ndryshime të ligjit aktual të Shërbimit Informativ Shtetëror.


Përpos thirrjeve të vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtarë, ai që ka bindur kryeministrin Sali Berisha për të mos i shkuar deri në fund lëvizjes së tij ka qenë pikërisht Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, i cili i ka kujtuar kreut të ekzekutivit detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s. Thelbi i bisedës, sipas burimeve nga NATO, ka qenë se kur Aleanca ka një shqetësim të kësaj natyre, Shqipëria nuk mund ta injorojë atë dhe të vazhdojë me këmbëngulje në rrugën e nisur.


Menjëherë pas kësaj telefonate, edhe pse drafti kishte kaluar tek komisionet përgjegjëse dhe ishte gati për miratim, qeveria vendosi shtyrjen, për ta diskutuar, kësaj here, edhe me ndërkombëtarët. Është misioni i Bashkimit Europian i specializuar për asistencë ligjore në fushën e rendit dhe drejtësisë, EURALIUS që pritet të sjellë vërejtjet dhe propozimet e veta për projektin e kaluar tashmë edhe në komisionet parlamentare, atë të Ligjeve e të Sigurisë Kombëtare.


Sipas burimeve nga Kuvendi, propozimet e EURALIUS pritet që të depozitohen brenda së premtes së ardhshme. Nuk dihet nëse sugjerimet e dhëna nga ky mision do të merren parasysh në mënyrë të plotë ose jo nga mazhoranca, pasi ligjërisht kjo e fundit nuk është e detyruar ta bëjë një gjë të tillë.


Ndërkohë, pak kohë më parë, para se drafti të kalonte për miratim nga komisionet parlamentare, zyra përgjegjëse e NATO-s për koordinimin global të sigurisë, i ashtuquajturi NOS, i kërkonte qeverisë shqiptare që projektligji i ri për SHISH-in të kalonte më parë nga kjo zyrë, që përbëhet nga 3 degë: Orientimet e përgjithshme, Inteligjenca për sigurinë dhe Siguria e mbrojtjes, gjë që e cila mesa duket po bëhet sa kohë që për këtë çështje u vu në lëvizje vetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.


Aktualisht, drafti për SHISH-in nuk është i përfshirë në kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit. Konferenca e kryetarëve vendosi pak ditë më parë që drafti në fjalë të mos përfshihej për diskutim edhe për tre javë të tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›