Refuzohet nga vajza, plumba mbi nënë e bijë

SKRAPAR/ Besmir Bakiasi është shpallur në kërkim nga policia ndërsa akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë
SKRAPAR - Qëllon me armë mbi vajzën që deshte, si dhe nënën e saj duke i lënë të dyja të plagosura. Ngjarja tronditëse ka shokuar gjithë banorët e fshatit Spathar të komunës Vëndreshë në rrethin e Skraparit, ku edhe ndodhi. I dëshpëruar në ekstrem nga mosbindja e vajzës që dashuronte për t'u martuar me të, një 22 -vjeçar ka gjetur si zgjidhje ekstreme shkrepjen e armës mbi vajzën që dashuronte dhe mbi nënën e saj.
Një breshëri automatiku "kallashnikov" ka plagosur rëndë nënë e bijë, të cilat tashmë ndodhen nën kontrollin e mjekëve, por në gjendje kritike për jetën. Akuzat e ngritura ndaj 22-vjeçarit janë "vrasje e mbetur në tentativë", si dhe "armëmbajte pa leje".
Ngjarja
Gjithçka ka ndodhur rreth orës 12:30 të ditës së djeshme në fshatin Spatharë të rrethit të Skraparit, kur i riu Besmir Agron Bakiasi, me origjinë nga ky fshat, banues në Sarandë, pasi e ka humbur shpresën se vajza do t'i bindej për të qenë bashkëshortja e tij e ardhshme ka nxjerrë nga vendi ku kishte fshehur armën "kallashnikov" dhe pasi ka futur krëhërin me 30 fishekë brenda, ka shkuar në afërsi të banesës së familjes Sevdari, ku banonte e dashura e tij dhe ka qëlluar mbi vajzën e quajtur Migena (Gena) dhe nënën e saj Liri Sevdari.
Djaloshi ka nxjerrë kështu dufin dhe ka kujtuar se ka mbaruar punë mbi dy viktimat. Pas zbrazjes së armës, autori i cili punon si emigrant në shtetin grek, është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur, për t'iu fshehur organeve të policisë të cilët janë vënë menjëherë në kërkim të tij.
Hetimi
Burime nga policia bëjnë të ditur se para se të kryente krimin, autori i ngjarjes, Besmir Bakiasi, kishte ditë që ishte kthyer nga shteti grek ku punonte si emigrant dhe ka qenë i strehuar në banesën e xhaxhait të vet në fshatin Spatharë, ku edhe ka ndodhur ngjarja e rëndë e plagosjes së dyfishtë me armë zjarri. Banorët e fshatit janë munduar për t'u dhënë ndihmën e parë dy të dëmtuarave, duke i nisur fillimisht për në spitalin e Çorovodës.
Aty ka ardhur menjëherë helikopteri, i cili i ka transportuar për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Sipas informacioneve paraprake, nënë e bijë, Liri e Migena Sevdari ndodhen në gjendje kritike për jetën, ndërkohë që deri në orët e vona të mbrëmjes, autori 22-vjeçar nuk ishte vënë ende në pranga.