E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aldo Bare: Procesi ndaj meje i montuar

I akuzuari si kreu i bandës së Lushnjes, akuzoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, se procesi ndaj tij ishte i paragjykuar


Dëshmitari: Banda e Alfred Shkurtit, donte t'i merrte familjes Haxhiu hotel Blerimin në Lushnje të blerë prej tyre


TIRANË- "Procesi gjyqësor ndaj meje është i montuar nga shteti dhe i paragjykuar nga gjykata, pasi dihet tashmë se çfarë vendimi do jepni". Kjo ishte një nga "akuzat" e Aldo Bares, i cilësuar nga prokuroria si kreu i "bandës" së Lushnjës, që ia drejtoi trupit gjykues të kryesuar nga Fatmir Hajdari.


Në seancën e djeshme gjyqësore, kur pritej që organi i akuzës të pyeste dëshmitarët e parë të tij, i pandehuri Aldo Bare kërkoi fjalën, duke ironizuar trupën gjyqësore të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Reagimi i Alfred Shkurtit erdhi edhe pas deklarimeve të dëshmitarit të parë, "Bashkëpunëtorit të Drejtësisë", Arben Kicja, i cili tha se Banda e Lushnjes kishte tentuar t'i merrte familjes Haxhiu, hotel "Blerimin" në qytet që ishte blerë nga kjo familje.


"Dua t'ju falënderoj që më keni dhënë kurajo dhe jeni treguar tolerantë dhe më keni dhënë kohën e duhur, duke më mirinformuar me dosjen voluminoze. Dua t'ju falënderoj për tri vendimet e pafajësisë që keni marrë për mua, për faktin që nga media jam kthyer në një UFO.


Nuk ka njeri të moshës madhore apo të moshës së vogël që të mos e dijë se kush jam unë në këtë vend. Dua t'ju falënderoj për ato tri vendime pafajësie që ngjasojnë si vendimet e romanit të "Kafkës". Jeni e vetmja gjykatë që keni dhënë tri vendime pafajësie ndaj meje.


Faleminderit për durimin"-tha Bare, duke ironizuar me rrëzimin e tri kërkesave të tij me vendim të ndërmjetëm. Vendimin e masës së sigurisë, mbarimin e afateve të paraburgimit dhe rrëzimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar. Ndërkohë, fjalës ironike të të pandehurit Aldo Bare, gjyqtarja Hajdari, kryesuese e pesëshesh gjykuese iu përgjigj: "Si i pandehur që jeni keni të drejtë të thoni çfarë të doni para Gjykatës në çdo kohë",- ndërsa citoi nenin e Kodit të Procedurës Penale që ia jep këtë të drejtë.


Më pas Bare foli sërish, duke u shprehur: "Është e kotë që paraqitem para jush, pasi dihet se çfarë vendimi do merrni, kështu që nuk kam asnjë shkak që të paraqitem më në këtë proces gjyqësor të paragjykuar e montuar nga shteti".
Pas shkëmbimit të batutave ironike të Bares dhe trupit gjykues, seanca, vazhdoi me pyetjen e dëshmitarit të parë të organit të akuzës, Arben Kicjes me statusin e "Bashkëpunëtorit të Drejtësisë".


Pyetja e tij u bë me anë të video-konferencës për gjyqtarët, prokurorët, avokatin dhe të pandehurit pasi publiku u largua nga salla e gjyqit me pretendimin se "rrezikohet jeta e bashkëpunëtorit të drejtësisë". Sipas burimeve nga kjo gjykatë, mësohet se dëshmitari Kicja ishte vendosur në katin e tretë të kësaj ndërtese, i kamufluar me paruke në kokë, me ndihmën e video-konferencës ai "rrëfeu" ngjarjet e ndodhura në Lushnje, ku sipas tij, drejtoheshin nga Bare.


Në lidhje me dëshminë e Kices, Aldo Bare reagoi dhe mësohet se i është drejtuar gjykatës me fjalët: Unë nuk e njoh këtë person, edhe ky është pjesë e montimit të bërë nga shteti".


Mësohet se vetë Kicja nuk ka preferuar të komentojë deklaratën e Bares, duke u mjaftuar me "rrëfimin" e tij për vrasjen e Xhevdet Demirit, shkatërrimit të pronës së Shkëlqim Haxhiajt si dhe tentim vrasjen e tij nga "banda" e Bares, pasi sipas dëshmitarit, e akuzonin atë si mik i Artur Dajës. Ky i fundit tashmë i vrarë nga pjesëtarët e "bandës" në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të Aldo Bares, shtetasin Ramadan Shkurti dhe shokun e këtij të fundit Bardhyl Rabija.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›