E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i SHISH përçan koalicionin LSI-PD

Sekretari i LSI, Luan Rama, paralajmëroi se nuk do të votojnë asnjë ligj për SHISH që nuk merr konsensusin e NATO-s


TIRANË - Ligji i ri për Shërbimin Informativ Kombëtar, aq shumë i kundërshtuar nga opozita dhe faktori ndërkombëtar, ka përçarë edhe koalicionin qeverisës PD-LSI. Lëvizja Socialiste për Integrim, edhe pse është në koalicionin qeverisës me Partinë Demokratike, nuk do të votojë projektligjin për SHISH nëse nuk do të ketë më parë mbështetjen dhe miratimin e plotë të NATO-s.


Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, paralajmëroi dje mazhorancën se nëse do të votohet në Parlament ligji për SHISH, LSI do ta mbështesë vetëm nëse do të merret konsulenca e NATOS.


"Bashkëpunimi në fushën e shërbimeve inteligjente dhe në luftën kundër terrorizmit, është prioritet madhor i NATO-s dhe i Shqipërisë, ndaj dhe çdo ndryshim besoj se do të bëhet në bashkëpunim dhe konsulencë të ngushte më NATO-n, sepse, në fund të fundit, të gjitha këto janë detyrime që rrjedhin nga angazhime madhore që ka marrë Shqipëria.


LSI do të përkrahë vetëm ndryshimet e mirëkonsultuara me aleancën", theksoi sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim.


Ish-ministri i Brendshëm gjatë qeverisjes socialiste shprehet se në kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën e mbetur është parashikuar që të futet edhe projektligji për Shërbimin Informativ. "Në rendin e ditës janë përfshirë të gjitha projektligjet e mbetura pezull gjatë këtij 6-mujori, përfshirë dhe ligjin për SHISH-in", sqaroi Luan Rama.


Por, një fakt të tillë e kundërshton kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astriti Patozi, i cili mohon që projektligji për SHISH të futet në kalendarin e punimeve të parlamentit për këtë sesion. Për kreun e grupit të PD-së nuk do të ketë amendamente për ligjin e SHISH dhe as nuk do të votohet ligji i pezulluar pas ndërhyrjes së NATO-s.


Por, votat e LSI-së nuk rrezikojnë që të shkaktojnë mosmiratimin e këtij ligji, pasi PD ka votat e nevojshme për ta kaluar në Parlament. Edhe nëse e paraqet ligjin për Shërbimin Informativ Kombëtar në kalendarin e punimeve për këtë sesion, nuk dihet nëse projektligji do të paraqitet i njëjtë apo me amendime të reja. Si deputetët e Partisë Socialiste, ashtu edhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk kanë njohuri për këtë pikë. Luis Tanushi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›