E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Borxhi shqiptar, më i larti në rajon

Ministri i Financave: Kemi marrë borxhe me norma interesi të ulëta. Nuk do të bëjmë rritje taksash për të paguar borxhet


Niveli prej 59.5 % të PBB-së i borxhit publik nuk konsiderohet problem nga kreu i Financave


TIRANË - Ministri i Financave, Ritvan Bode, mbrojti ndryshimet në buxhet, duke i cilësuar ato të nevojshme për ruajtjen e balancave makro-ekonomike të vendit. Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, Bode përmendi me radhë të gjitha ndryshimet e parashikuara, duke u fokusuar tek niveli i borxhit publik, i cili së bashku me ndryshimet në buxhet ka qenë thelbi i debatit ekonomik të zhvilluar javët e fundit.

Sipas Bodes, niveli prej 59.5 për qind i borxhit që ka Shqipëria paraqitet disi i lartë në raport me disa vende të rajonit, por kjo nuk do të thotë se gjendja është e përkeqësuar, përkundrazi, sipas Bodes, kostoja e shërbimit të tij është ndër më të ulëtat në rajon, rreth 3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.


Më tej, kreu i Financave parashtroi edhe disa karakteristika të borxhit publik. Sipas tij, një ndër arsyet që e bëjnë të parrezikshëm borxhin publik shqiptar, lidhet me faktin se ai nuk shërbehet me instrumente tregtarë në tregjet financiarë globalë.


"Borxhi ynë publik është një borxh, i cili në 2/3 e tij është një borxh i brendshëm, është borxh në lekë, i cili administrohet në mënyrën më të mirë, në parametrat më pozitivë, për një kohë shumë të gjatë", - tha Bode. Për sa i përket borxhit të jashtëm, i cili bashkë me borxhin e brendshëm përbëjnë totalin e borxhit publik, Bode tha se në rreth 80 për qind të tij ai është shërbyer nga banka të zhvillimit, të cilat aplikojnë norma interesi të ulëta.


Pjesë e fjalës së Bodes ishin edhe politikat e qeverisë për taksat, nisur edhe nga diskutimet e kohëve të fundit për mundësinë e rishikimit të taksave pas uljes së shpenzimeve buxhetore, si një ndër masat që ndërmerret zakonisht në kushte të uljes së të ardhurave. "Sikurse e përmenda, politika e taksave do të jetë ajo që ka qenë. Nuk do të kemi rritje të taksave të drejtpërdrejta dhe as të taksave të tërthorta", - tha Bode.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›