Miratohet në parim ndryshimi i buxhetit

Pas 12 orë debatesh, miratohen në parim, pa votat e opozitës, shkurtimet në buxhet për 6-mujorin e dytë të këtij viti
Seanca e djeshme solli përplasje PD-PS. Përplasen grupet për kohën e deputetëve. PS braktis sallën
TIRANË - Mazhoranca miratoi dje në parim, pa votat e opozitës, projektligjin për shkurtimin e shpenzimeve buxhetore për gjysmën e dytë të vitit 2010. Pas 12 orë debatesh të ashpra për rishikimin e buxhetit të shtetit, mazhoranca kaloi në miratim në parim ndryshimet e parashikuara prej tyre. Nga ana e saj, opozita kritikoi ndryshimet që po bëhen në buxhet.
Sipas deputetëve të majtë, vendi ndodhet në një situatë kritike ekonomike dhe kërkon një rishikim më të mirë për sa i përket zërave që do të shkurtohen në buxhetin e shtetit. Megjithëse opozita paralajmëroi një përkeqësim të situatës me këto ndryshime, kjo gjë nuk e ndaloi mazhorancës që të miratonte me votat e saj projektligjin "Për disa ndryshime në buxhetin e shtetit për 6-mujorin e dytë të vitit 2010".
Seanca maratonë e ditës së djeshme u shoqërua me përplasje midis shumicës dhe pakicës, madje duke sjellë edhe ndërprerjen e seancës plenare. Ishte mbyllja e parakohshme e pikës së parë të rendit të ditës, diskutimi mbi projektbuxhetin që solli edhe acarimin e opozitës në Parlament.
Në emër të grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, kërkoi vijimin e diskutimeve, pasi, siç tha edhe ai, kryetarët e komisioneve të PS në Kuvend nuk kishin folur dhe ishte radha e tyre për të marrë fjalën.
Por, kryetari i grupit të PD, Astrit Patozi, shprehu dëshirën që ky debat të mos zhvillohej fare dhe të mbyllej për të filluar me pikën tjetër të rendit të ditës, votimin e buxhetit. Deklarata e zyrtarit të lartë demokrat ka shkaktuar debat në radhët e opozitës, duke sjellë edhe ndërprerjen e seancës për disa minuta. Kjo ndërprerje u lajmërua nga kryetari i seancës, Ardian Turku, në mënyrë që dy krerët e grupeve politike të zgjidhnin midis tyre këtë çështje.
Socialistët kërkuan sërish mbarimin e fjalëve të deputetëve të tyre. Por, drejtuesi i seancës i kërkoi Ilir Beqes mbajtjen e fjalës në emër të grupit. Pavarësisht debateve, deputeti socialist shprehu qëndrimin e opozitës. Pas mbarimit të fjalës, grupit Parlamentar Socialist, duartrokiti dhe më pas la sallën e Kuvendit.
Pas kësaj, në emër të grupit të PD, mori fjalën Ridvan Bode. Ndër të tjera, ai ftoi opozitën që të miratojnë së bashku një rregull fiskal me shumicë të cilësuar mbi borxhin publik, në mënyrë që asnjë mazhorancë të mos bëjë ndryshime pa votat e opozitës. Me mbarimin e fjalës së tij, seanca maratonë vijoi me votimin në parim. Prezent në sallë ishin 71 deputetë. Projektligji u miratua me të gjitha votat e pranishme, pa asnjë votë kundër dhe abstenim.
Në këtë mënyrë, projektligji i kalon komisioneve parlamentare për miratimin nen për nen dhe më pas votimin në seancën e ardhshme.
Ndryshimet e miratuara mbrëmë synojnë mbajtjen nën kontroll të nivelit të borxhit publik dhe deficitit buxhetor. Për sa i përket borxhit, qeveria parashikon vetëm mbajtjen e tij në nivelet e 59.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa parashikon një deficit 3.1 për qind ose 38 miliardë lekë.
Gjithashtu, parashikohet shkurtimi i shpenzimeve me rreth 39 miliardë lekë, nga të cilat 20 miliardë janë në zërin e investimeve si dhe ulja e nivelit të të ardhurave me rreth 27 miliardë lekë.
Parashikohet që të ardhurat të jenë në nivelin e 334 miliardë lekëve, ndërsa shpenzimet në rreth 372 miliardë lekë. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat pakësohen me 16.3 miliardë lekë duke arritur në 230 miliardë lekë. Me ulje gjithashtu parashikohen edhe të ardhurat nga pushtetit vendor, ku nga rreth 21 miliardë që ishin parashikuar në fillim të vitit tashmë janë në nivelin e 15.5 miliardë lekëve. I vetmi tregues që paraqitet me rritje janë të ardhurat jo-tatimore, të cilat parashikohet të arrijnë në 28 miliardë lekë.
Ministritë që preken nga shkurtimi i buxhetit
Në ndryshimet e miratuara për buxhetin e ri, Ministria e Punëve Publike është ajo që preket më shumë. Fillimisht, kjo ministri ishte parashikuar të kishte një buxhet prej rreth 52 miliardë lekë, nga të cilat 37 miliardë do të shkonin për ndërtimin e rrugëve nacionale.
Por, shkurtimi i ndjeshëm i fondeve për këtë dikaster prek së tepërmi zërin e investimeve në rrugët nacionale, shkurtimet e të cilave përbëjnë mbi dy të tretat e shkurtimeve totale për Ministrinë e Punëve Publike. Me ulje të konsiderueshme të fondeve në raport me buxhetin total të saj do të përballet edhe Ministria e Bujqësisë. Fillimisht, kësaj ministrie i ishte ndarë një fond prej 6.8 miliardë lekësh, ndërsa tashmë propozohet shkurtimi i tyre me rreth 1.8 miliardë lekë.
Pjesë me e madhe e shkurtimeve, prek investimet në veprat që shërbejnë për vaditjen dhe kullimin. Me 5.8 miliardë lekë janë ulur fondet për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Nga totali prej 43.8 miliardë lekësh që ishte miratuar fillimisht, tashmë Ministria e Arsimit do të duhet të zhvillojë projektet e saj duke pasur në dispozicion 38 miliardë lekë.
Për sa i përket Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë gjashtëmujorit të ardhshëm do të duhet ta mbyllë në mungesë të rreth 4 miliardë lekëve. Pjesa më e madhe e shkurtimeve për Shëndetësinë do të bëhen tek zëri i shërbimit dytësor, i cili ulet me 2.6 miliardë lekë.