Ligji i debateve

Shoqëri civile, përfaqësues të medieve, parti opozitare, profesorë të shkollave të mesme në Prishtinë, ministre e edhe zëvendëskryeministrja....të gjithë këta, janë deklaruar publikisht se në asnjë mënyrë nuk përkrahin dhe janë kundër futjes së lëndës për fenë në shkolla publike të Kosovës, e gjithashtu kundër lejimit të bartjes së shamive në klasa nga nxënëset që duan ta praktikojnë besimin e tyre islam.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, bashkë me ministren për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, kanë vënë firmën e tyre në një peticion që i kanë dërguar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, për të kundërshtuar lejimin e kësaj praktike. Në peticionin që i kanë dërguar kryeparlamentarit Krasniqi dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, gratë intelektuale dhe aktivistet për të drejtat e grave të Kosovës kundërshtojnë ashpër futjen e lëndës për mësime fetare në shkolla publike si dhe bartjen e shamisë. Kundërshtimin e tyre ato e bazojnë në përcaktimin e Kosovës si shtet laik.
Në peticion thuhet se gratë intelektuale janë njoftuar përmes medieve se janë bërë dy propozimamendamente të mbështetura nga 27 deputetë të Kuvendit të Kosovës, për modifikimin e Nenit 3, paragrafi 7 të Ligjit për arsimin parauniversitar si dhe për shtimin e një paragrafi të ri në Nenin 3 të këtij ligji. Ato në letrën e tyre thonë se këto dy propozimamendamente janë të karakterit fetar dhe synojnë legalizimin e përdorimit të shamive në shkolla si dhe futjen e lëndës së Edukatës Fetare dhe Morale në planprogramet mësimore.
“Duke u nisur nga fakti se Kosova është shtet laik, i definuar me Kushtetutë, si dhe duke marrë parasysh se kombi shqiptar me tri religjione është mbajtur unik duke i dhënë rëndësi kombit para fesë, ne intelektualet dhe aktivistet për të drejtat e grave kërkojmë nga ju si përfaqësues të popullit që t`i mbroni me vendosmëri vlerat shtetërore dhe kombëtare duke votuar kundër amendamenteve të propozuara”, thuhet në peticionin e nënshkruar. Ato kanë sqaruar se legjislacioni në fuqi i Republikës se Kosovës garanton të gjitha liritë fetare sipas standardeve evropiane, prandaj nuk ka nevojë të ndryshohet.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...