E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballen për Veriun

Kosova dhe Serbia do të përballen sot në Këshill të Sigurimit për Veriun, pas ngjarjeve të 25 korrikut. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj thotë se do t’i njoftojë të gjithë anëtarët e Këshillit me të drejtën e Kosovës për shtrirjen e ligjshmërisë në gjithë territorin. Nga Valmir Klaiqi më 29 gusht 2011 në ora 08:43

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj do të përballet sot në New York me homologun e tij serb, Vuk Jeremic në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit për Kosovën.

Debati më i nxehtë pritet të zhvillohet rreth strukturave paralele dhe për gjendjen e krijuar në Veri pas 25 korrikut.

Ky është ballafaqimi i parë i zyrtarëve kosovarë me ata serbë, pas 25 korrikut, në një seancë të hapur të Këshillit të Sigurimit.

“Fokusi im do të jetë për atë që të informohen anëtarët e Këshillit për zhvillimet e fundit në veri të vendit, për vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës që ta shtrijë sundimin e ligjit në tërë territorin e shtetit. Për vendosmërinë e saj të pakompromis në luftë kundër krimit të organizuar në atë pjesë të Kosovës, si dhe mbi të gjitha për atë se si kjo situatë është krijuar pas pjesëmarrjes së Kosovës në dialogun teknik, pas mospjesëmarrjes së Serbisë në raundin e fundit dhe pas masave të reciprocitetit”, ka thënë Hoxhaj të dielën pasdite për Express.

Ai tha se gjithë anëtarët e KS të OKB’së e dinë se vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës në Veri kanë qenë në përputhje me dokumentet relevante të Këshillit të Sigurimit.

“Veprimi i Qeverisë së Kosovës ka qenë në përputhje me Pakon e Ahtisaarit dhe Kushtetutën e Kosovës. Dhe sipas këtyre dokumenteve, Kosova është një zonë e përbashkët doganore dhe brendapërbrenda saj qeveria qendrore duhet ta shtrijë autoritetin në përputhje me këto dokumente”, ka shtuar ai.
Përveç ngjarjeve në Veri, Hoxhaj në New York do të flasë edhe për proceset e tjera politike në vend.

“Në këtë takim, unë do t’i informoj anëtarët e Këshillit të Sigurimit për progresin dhe konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, në zhvillimin dhe transformimin ekonomik që kemi pasur gjatë kësaj periudhe dhe në të njëjtën kohë për sukseset që kemi pasur në politikën e jashtme në kuadër të rritjes së numrit të njohjeve”, ka thënë Hoxhaj.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Serbisë në këtë seancë, Vuk Jeremic ka paralajmëruar mundësinë që Këshilli i Sigurimit të miratojë një deklaratë presidenciale të iniciuar nga Rusia nëpërmjet së cilës do të kërkojë që gjendja në Veri të kthehej ashtu siç ka qenë para 25 korrikut.

Megjithëkëtë, Ministri i Jashtëm serb, Jeremic, pret që seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB’së për Kosovën të jetë e vështirë, duke pasur parasysh kundërshtimin e shteteve të këtij trupi pikërisht në lidhje me deklaratën presidenciale, propozimin e së cilës e ka shtruar Rusia.

“Mund të presim mbledhje të rëndë, sepse qëndrimet e disa shteteve të rëndësishme të Këshillit të Sigurimit janë kundërshtuar ashpër”, ka thënë Jeremic për Tanjug, për të shtuar se është optimist që të hënën “shumica e rëndësishme të qëndrojë në linjat që pak a shumë janë si ato të Serbisë”.
“Në bazë të takimeve që kemi bërë ditëve të kaluara, mendoj se shumica do ta mbështesë qëndrimin tonë. Nëse do të miratohet deklarata presidenciale, kjo do të merret vesh në takim, sepse për këtë duhet konsensusi, i cili tash për tash nuk është”, ka thënë ai.

Rusia ka kërkuar që Prishtina të gjykohet për “përdorim të njëanshëm të dhunës”, e që pastaj situata të kthehet në gjendjen e mëparshme, “para përdorimit të dhunës”.

Me këtë propozim kërkohet që faktorët ndërkombëtarë në Kosovë, duke përfshirë KFOR’in dhe EULEX’in, të “sillen në kornizat e mandatit të bazuar në Rezolutën 1244”.

Por siç dihet, deri tani shumica e shteteve të fuqishme perëndimore i kanë dhënë të drejtë shtetit të Kosovës për vënien e ligjshmërisë në Veri dhe të gjitha këto vende, por edhe EULEX’i e KFOR’i kanë potencuar faktin se nuk mund të ketë kthim prapa datës 25 korrik.

Në seancë, për herë të parë si përfaqësues i UNMIK’ut pritet të marrë pjesë shefi i ri i këtij misioni, diplomati afgan, Farid Zarif.

Lobon në New York

Gjatë qëndrimit në New York, Ministri Hoxhaj pritet të zhvillojë disa takime me përfaqësues të vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Kësaj here kam një agjendë intensive, ku do të zhvilloj takime me disa ambasadorë të vendeve të Karaibeve.

Takime të tilla kam zhvilluar pothuajse çdoherë që kam qëndruar në New York. Do të kem edhe disa takime me anëtarë të Organizatës së Konferencës Islamike, të cilat janë në procesin e vendimmarrjes për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha Hoxhaj. Po ashtu, ai tha se gjatë qëndrimit në New York, do të ketë edhe takime me përfaqësues të vendeve të Paqësorit dhe Azisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›