E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i dosjeve, rrëzohet nga Kushtetuesja

Gjykata Kushtetuese rrëzon sërish maxhorancën. Këtë herë 9 gjyqtarët e kushtetueses kanë shpallur si të papajtueshëm me kushtetutën një prej ligjeve të mbrojtura më fort nga maxhoranca, atë për pastërtinë e figurës së zyrtarit të lartë. Edhe pse vendimi është marrë rreth 2 muaj më parë, vetëm tani mësohet vendimi i kushtetueses, vendim i cili është ende në proces zbardheje. Rrëzimi i ligjit të miratuar vetëm me votat e maxhorancës në seancën e 22 dhjetorit të vitit 2008, nuk përbën ndonjë surprizë të madhe për askënd, pasi ai vjen pasi Komisioni i Venecias pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese në opinionin e tij deklaroi se disa nene të këtij ligji janë në kundërshtim me ligjin themeltar të shtetit. Një vit më parë, ka qenë PS-ja e cila ankimoi ligjin e shumdebatuar, i cili gjithashtu nuk u firmos as nga Presidenti i Republikës Bamir Topi pasi ky i fundit preferoi të mos shprehej duke e lenë të hynte në fuqi ligjin e dosjeve.
Gjykata Kushtetuese, nga ana e saj mori menjëherë pas depozitimit të kërkesës vendimin e pezullimit të zbatimit të ligjit, vendim që u prit me kritika dhe akuza nga ana e maxhorancës që e kishte miratuar atë në Kuvend.
Por në vitin 2008 ligji i dosjeve nuk ngjalli vetëm reagimin e opozitës por edhe të faktorit ndërkombëtar, ai u kundërshtua nga Këshilli i Evropës, nga SHBA por edhe nga Britania e Madhe dhe nga çekia vend i cili asokohe mbante presidencen e radhës të BE-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›