Ligji i faljes, 15 715 tatimpagues përfitues me 28,8 milionë euro detyrime

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Vijon zbatimi i procesit të fshirjes automatike të detyrimeve tatimore në kuadër të Ligjit të Faljes, me mijëra tatimpagues që kanë përfituar nga lehtësimi i barrës financiare.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, deri tani kanë përfituar 15 715 tatimpagues, ndërsa vlera e detyrimeve të fshira ose të shuara ka arritur në 28,8 milionë euro.
Procesi i faljes përfshin fshirjen e gjobave për mosdeklarimin në afat, të llogaritura deri më 31 dhjetor 2024, si dhe gjobave për dorëzimin me vonesë të vendimit për destinimin e rezultatit dhe pasqyrave financiare, për detyrimet e llogaritura deri në këtë datë.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se procedura po vijon në mënyrë automatike, duke shmangur aplikimet individuale nga tatimpaguesit dhe duke garantuar zbatimin e masave të parashikuara në kuadër të Ligjit të Faljes.
Ky proces synon të lehtësojë situatën financiare të subjekteve, të ulë detyrimet e prapambetura dhe të nxisë përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore.

/e.xh/j.p/