Ligji i ri për emigracionin, OKB: Shumë shqetësues, do bllokonte edhe ata me kërkesa bindëse

Ligji i emigracionit i propozuar nga qeveria britanike, është mjagft shqetësues dhe do të bllokonte edhe ata që kanë kërkesa bindëse. Kështu ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, raporton BBC.
Përfaqësuesja e UNHCR-së në Mbretërinë e Bashkuar, Vicky Tennant, deklaroi se masa do të shkelte ligjin ndërkombëtar dhe nuk ishte e nevojshme për të ndaluar kalimet e Kanalit.
“Ne jemi shumë të shqetësuar. Kjo në fakt po mbyll qasjen në azil në MB për njerëzit që vijnë në mënyrë të parregullt. Ne besojmë se është një shkelje e qartë e Konventës së Refugjatëve dhe mbani mend se edhe njerëzit me pretendime shumë bindëse thjesht nuk do të kenë mundësinë t’i parashtrojnë ato”, tha Tennant.
Kryeministri Rishi Sunak u shpreh se është i përgatitur për “luftë” për kthimin e propozimit të tij, në një ligj. Të martën, qeveria përshkroi një ligj të ri i cili në mënyrë efektive do të ndalonte këdo që arrinte në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet një rruge të paligjshme nga kërkesa për azil.
Kushdo që zbulohet se ka hyrë ilegalisht në vend do të bllokohet gjithashtu nga kthimi ose pretendimi i nënshtetësisë britanike në të ardhmen.
Masa është pjesë e përpjekjeve për të adresuar një rritje të numrit të njerëzve që mbërrijnë në MB përmes kalimeve të Kanalit çdo vit, i cili u rrit nga rreth 300 në 2018 në më shumë se 45,000 në 2022.
Konventa për Refugjatët , e rënë dakord për herë të parë në 1951, është një traktat shumëpalësh që përcakton se kush kualifikohet si refugjat dhe detyrimet e shteteve nënshkruese për t’i mbrojtur ata.
/rtsh.al/