E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zelensky: Nëse Rusia merr kontrollin e Bakhmutit, do e kenë “rrugën e hapur” për të kapur qytetet në Ukrainën lindore

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se trupat rusë do të kenë “rrugë të hapur” për të kapur qytetet kryesore në Ukrainën lindore, nëse marrin kontrollin e Bakhmutit.

Zelensky u shpreh më tej se ushtria e Kievit është e bashkuar për të zgjatur mbrojtjen e qytetit, pasi javë të tëra sulmesh ruse e lanë atë në prag të rënies në duart e trupave të Moskës.

“Ne e kuptojmë se pas Bakhmutit ata mund të shkojnë më tej. Ata mund të shkonin në Kramatorsk, ata mund të shkonin në Sloviansk, do të ishte rrugë e hapur për rusët pas Bakhmutit për në qytete të tjera në Ukrainë, në drejtim të Donetsk. Kjo është arsyeja pse djemtë tanë po qëndrojnë atje”,  tha ai, citon CNN.

Një sulm javor nga trupat mercenare të Wagner , i cili ka rritur ritmin ditët e fundit, ka shkatërruar infrasktrukturën dhe ka detyruar mijëra ukrainas të largohen nga vendi. Zelensky tha se motivimet e tij për të mbajtur qytetin janë “shumë të ndryshme” nga objektivat e Rusisë.

 “Ne e kuptojmë se çfarë dëshiron të arrijë Rusia atje. Rusisë i duhet të paktën një fitore, një fitore e vogël, edhe duke shkatërruar gjithçka në Bakhmut, thjesht duke vrarë çdo civil atje”, tha Zelensky teksa shtoi se nëse Rusia është në gjendje të “vendosë flamurin e saj të vogël” në majë të Bakhmutit, kjo do të ndihmonte “të mobilizonte shoqërinë e tyre për të krijuar këtë ide se ata janë një ushtri kaq e fuqishme”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›