Shpresat e Cooperit
Ndërmjetësi i BE’së në bisedimet Prishtinë–Beograd, Robert Cooper ka deklaruar të mërkurën se ende shpreson se dy palët mund të arrijnë një marrëveshje për përfaqësim rajonal.
Cooper, i cili të martën ka qëndruar për vizitë në Kosovë, ku ka takuar autoritetet kosovare në përpjekje për të marrë pajtimin e tyre për mënyrën e prezantimit në forumet rajonale, nuk ka pranuar të japë ndonjë detaj rreth bisedimeve që ka zhvilluar.
Ai megjithatë akoma shpreson se delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë do të arrijnë marrëveshje para muajit mars, kur BE’ja pritet të marrë vendim rreth kandidaturës së Serbisë për anëtarësim në union.
“Shpresoj shumë se do të gjendet zgjidhja para samitit të BE’së“, ka thënë Cooper për gazetën Express.
Autoritetet kosovare gjatë takimeve me përfaqësuesin e BE’së kanë bërë të ditur se mund të pranojnë një zgjidhje, e cila merr parasysh Rezolutën 1244, mendimin GJND’së si dhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Por Cooper nuk ka pranuar të thotë nëse një gjë e tillë mund të shërbejë si bazë për arritjen e një marrëveshjeje me Beogradin.
“Nuk mund të japë asnjë detaj”, ka thënë ai.
Rreth bisedimeve që Cooper ka zhvilluar me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, ka komentuar edhe shefi i delegacionit serb, Borislav Stefanovic.
Pavarësisht se pala kosovare është shprehur e gatshme për ta pranuar Rezolutën 1244 në marrëveshjen për përfaqësimin rajonal, Stefanovic ka thënë se një gjë e tillë nuk është e saktë.
Ai ka theksuar për mediat se Prishtina është duke refuzuar edhe më tutje çfarëdo propozimi.
“Këto janë spekulime mediale, të cilat i kemi dëgjuar deri më tani në Prishtinë dhe nuk duhet t’i komentojmë. Ajo që dihet është që Prishtina është duke refuzuar çfarëdo propozimi. Pozicioni i tyre është i ashpër edhe maksimalist”, ka thënë ai.
Stefanovic ka thënë se aktivitetet diplomatike të Serbisë janë mjaft të shpeshta.
“Ato po shkojnë në drejtim të ndihmës për bashkësinë ndërkombëtare që të gjejmë një zgjidhje të pranuar nga të dyja palët, përmes presionit ndaj Prishtinës. Nga suksesi i këtij procesi varet edhe vazhdimi i dialogut në Bruksel”, ka thënë Stefanovic.
Ai ka pohuar se ende nuk ka një datë për vazhdimin e bisedimeve për shkak se, sipas tij, Prishtina nuk po lëshon pe.
Sipas tij, referendumi në Veri nuk do të cenojë dialogun e Prishtinës dhe Beogradit, sepse ai konsideron se problemet mund të zgjidhen vetëm përmes procesit negociator.