Ligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme vlerësohet antikushtetues
.jpg)
Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në mbledhjen e së martës ka përkrahur vlerësimet e Avokatit të Popullit se Ligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, është “antikushtetues” dhe “diskriminues” për qytetarët e Kosovës.
Basri Berisha, zëvendës i Avokatit të Popullit, ka rekomanduar të ndryshohet ky ligj përkatësisht dispozitat e nenit 25, paragrafi 9 dhe 10, për shkak se u mohon qytetarëve të drejtën për qasje në gjykatë, duke i obliguar ata që përveç në gjuhën e tyre amtare materialet e tyre t’ua dorëzojnë kësaj dhome edhe në gjuhën angleze dhe shpenzimet e përkthimeve t’i mbulojnë vetë ata, shkruan "Koha Ditore".
Berisha ka thënë se ky ligj lë hapësirë që gjyqtari kryesues të vendosë nëse gjykata do ta marrë përsipër përkthimin në gjuhën angleze të materialit të palës, mirëpo nga ankesat që ka pranuar Avokati i Popullit deri tani lidhur me këtë çështje, ai ka vlerësuar se ky vendim nuk mund të lihet në “dëshirën” e gjyqtarit. /Indeksonline/