Gjysma e kosovarëve të varfër

Gati gjysma e kosovarëve përballen me varfërinë, përderisa shumë prej tyre jetojnë në varfëri të skajshme me vetëm 1 euro në ditë.
Sipas një publikimi të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës(ASK) në bashkëpunim me Bankën Botërore, në vitin 2010 në Kosovë rreth 29.2 për qind e popullsisë ka jetuar në varfëri të plotë me vetëm 1.55 euro në ditë për një person të rritur dhe 8.2 për qind e kosovarëve jetojnë në varfëri të skajshme me vetëm 1.02 euro në ditë.
“Varfëria në zonat rurale dhe urbane janë pothuajse të barabarta , varfëria e plotë në zonat rurale është 30.7 % ndërsa në zonat urbane 26.7 % , ndërsa varfëria ekstreme në zonat urbane është 7.8 % ndërsa në zonat rurale është 8.5 %”, thuhet ndër të tjera në publikimin e ASK-së.
Bazuar në statistikat e ASK-së 36 mijë e 129 familje kosovare me 157 mijë e 329 anëtarë marrin asistencë sociale nga shteti.
Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk kanë mundur të përgjigjen gjatë ditës së martë në pyetjet e gazetës “Zëri” rreth shkallës së përgjithshme të varfërisë në Kosovë, sa familje marrin asistencë sociale dhe politikat institucionale për zbutjen e varfërisë, pavarësisht premtimeve se do ta bëjnë një gjë të tillë.
Përpos atyre që nuk punojnë dhe që varen nga ndihmat e ulëta sociale, përfaqësues të punëtorëve thonë se edhe këta të fundit përballen me varfëri për shkak të ardhurave të ulëta.
Haxhi Airifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës(BSPK), ka thënë se nga fillimi i procesit të privatizimit e deri më tani rreth 70 mijë punëtorë kanë humbur vendet e tyre të punës, të cilët kanë mbetur raste sociale.
“Të gjithë këta përballen me një gjendje të vështirë sociale dhe familjet e tyre jetojnë në varfëri”, shprehet Arifi.
Sipas tij, edhe ata që janë duke punuar nuk marrin paga dinjitoze në Kosovë.
“Nuk e di si mund të kalohet muaji me 150 euro. Shumë të punësuar në sektorin privat paguhen 150 euro në muaj dhe me këtë pagë është e pamundur një familje t’i blej artikujt elementar për një muaj e lëre më për gjërat tjera”, potencon Arifi.
Kryesindikalisti Haxhi Arifi bënë të ditur se në sektorin publik dhe privat në Kosovë janë të punësuar rreth 260 mijë veta, ndërsa të papunë janë rreth 150 mijë veta.
“Për ta papunë bëhet fjalë vetëm për ata që i kanë mbi 18 vjet”, pohon Arifi, duke shtuar se ky numër është në rritje nga viti në vit, pasi që çdo vit në tregun e punës futen 25 mijë të rinj, ndërsa ekonomia vendore brenda vitit nuk mund t’i krijoj më shumë se 5000 vende të reja pune.
Pra, siç thotë ai, listës së të papunëve çdo vit i shtohen nga 20 mijë veta dhe kjo e vështirëson edhe më shumë gjendjen ekonomike dhe sociale në Kosovë. /Indeksonline/