PDK drejt diktaturës!

Partia e kryeministrit Hashim Thaçi tashmë ka gjetur “diagnozën” e duhur për t’i përmbushur apetitet e secilit delegat të saj, duke e dyfishuar numrin e anëtarëve të Këshillit Drejtues nga 81 sa kishte në 150 sosh.
Ajo po e përgatitë terrenin e vet për të marrë vendime për çdo çështje që lidhet me partinë, pa e konsultuar asnjëherë Këshillin Drejtues të saj.
Ndërkaq, dyfishimi i numrit të KD-së është bërë vetëm e vetëm për ta bërë atë sa më pasive që është e mundur.
Një zyrtar i PDK-së në kushte anonimiteti i ka thënë “Zërit” se kur PDK-ja e ka mbajtur Kuvendin në vitin 2008, asokohe u patën zgjedhur 81 anëtar të Përgjithshëm të Partisë.
“As në atë kohë nuk kemi pasur hapësirë të mblidhemi dhe të diskutojmë të gjithë bashkë e lëre më tash që janë 150 anëtarë. Së pari nuk ke sallë ku mund të mblidhesh e të diskutosh. Kjo thjeshtë është bërë për të rehatuar të gjithë dhe për të mos pasur pakënaqësi dhe ndonjë problem eventual”, ka thënë ky zyrtar i PDK-së.
Ai ka thënë se vetëm të imagjinohet një mbledhje me 150 anëtarë dhe nga dy minuta për secilin nevojiten 300 minuta.
“Kjo po bëhet për të krijuar struktura sa më pasive në Këshill Drejtues, e duke pasur këto struktura pasive, kryesia të marrë vendime e vetme pa konsultim me këtë numër as të madh të anëtarëve të këshillit”, ka thënë ky zyrtar./Indeksonline/