Ligji për pagat e magjistratëve, gjykatësit e prokurorët paralajmërojnë dërgimin në Kushtetuese

TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë kundërshtuar formulën e propozuar nga mazhoranca socialiste për ndryshimin e pagave të magjistratëve, duke argumentuar se rritja e parashikuar nuk përmbush standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Në komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ku u zhvillua dëgjesat lidhur me projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Shoqatat e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve paralajmëruan dërgimin e ligjit në Kushtetuese
Sipas tyre, nëse projektligji miratohet në formën e propozuar, ai do të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Gjatë komisionit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i pyeti përfaqësuesit e shoqatave nëse do ta ankimojnë në Kushtetuese projektligjin për pagat e magjistratëve pas miratimit të tij në Kuvend.
Kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve dhe gjyqtar në Apelin e Gjykatës së Posaçme, Engert Pëllumbi, konfirmoi se ligji do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Ai tha gjithashtu se do të kërkohet pezullimi i zbatimit të tij dhe shqyrtimi me përparësi.
“Ne do ta depozitojmë që të nesërmen dhe jo vetëm kaq, por do të kërkojmë pezullimin e ligjit në Kushtetuese dhe gjykimin e çështjes me përparësi”, tha Pëllumbi, qendrim që u mbështet edhe nga kreu i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha.
Edhe prokurori Gëzim Spahiu tha se projektligji do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese menjëherë pas miratimit.
“Ditën që ligji do të miratohet do ta dërgojmë në Kushtetuese”, u shpreh Spahiu.
Në nisje të dëgjesës, kreu i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha, kundërshtoi procesin e ndjekur për miratimin e projektligjit të ri për pagat e magjistratëve, duke e cilësuar atë në kundërshtim me ligjin dhe me standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese.
Hoxha tha se gjyqtarët po kërkojnë të njëjtën zgjidhje që u është premtuar që prej vitit 2016, ndërsa u ndal edhe tek vonesa në hartimin dhe dërgimin e projektligjit në Kuvend.
Sipas tij, ekziston edhe një kontradiktë mes deklarimeve të bëra në Këshillin e Legjislacionit më 4 maj 2026 dhe përmbajtjes së projektligjit të paraqitur më 31 korrik.
“Pranohet që mosreagimi i Kuvendit, reagim kuptoj mosmiratimi i ligjit brenda 31 korrikut 2026, do të sjellë hyrjen në fuqi automatikisht të formulës së parashikuar nga paragrafi 110 i vendimit 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese”, tha Hoxha, duke iu referuar procesverbalit të mbledhjes së Këshillit të Legjislacionit.
Hoxha iu referua gjithashtu formulës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për pagat e magjistratëve, duke theksuar se për periudhën e prapambetur, nga 1 prilli 2023 deri më 31 korrik 2026, duhet të zbatohet formula e përcaktuar në vendimin e gjykatës.
Sipas tij, Kuvendi duhet të gjejë mekanizmin për të garantuar nivelin e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese dhe jo të përshtatë standardet kushtetuese me kufizimet buxhetore.
Nga ana tjetër, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese nuk janë krijuar për të prodhuar ngërçe, por për t’i zgjidhur ato. Ai solli në vëmendje edhe rastet kur, sipas tij Kuvendi nuk ka zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Bardhi gjithashtu tha se Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), janë përdorur politikisht për të goditur figurën e gjyqtarëve dhe prokurorëve në opinionin publik.
“Jam i bindur që KLGJ dhe KLP janë përdorur për t’i ngritur topin kryeministrit që të bëjë gjyqtarët dhe prokurorët tabelë qitje në opinionin publik. Prandaj i kanë miratuar ato vendime, s’kishin nevojë fare, ka kryetarë gjykatash që janë nëpunës dhe merren sipas ligjit për buxhetin, ka edhe shefat e financave ose drejtorët e financave”, tha Bardhi.
Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Socaliste, Ardit Bido, njëherësh relator i projektligjit, tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen drejtpërdrejt nga institucionet që kanë tagrin përkatës.
Bido u ndal edhe tek mënyra si është trajtuar administrata e gjykatave dhe prokurorive.
“Si nuk dëgjova nga asnjë nga përfaqësuesit që të flisnin për administratën, e cila ka pagën më të ulët, dhe që u bllokua në mënyrë të qëllimshme nga vetë drejtuesit e gjykatave dhe prokurorive?!”, deklaroi Bido.
Deputeti tha se drejtuesit e institucioneve të drejtësisë mund të kishin kaluar listëpagesa të veçanta për punonjësit administrativë, ndërsa vijonte beteja për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në përfundim komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik miratoi në tërësi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
/m.q/r.e/a.f/