Ligji për tokën, PS: Arsye tjetër për protesta

Ligji i ri për tokën rikthen epokën e kolektivizimit dhe është një tjetër arsye që shqiptarët t'i bashkëngjiten protestës mbarëpopullore kundër një qeverie që ka pritoritet pasurimin e sekserëve dhe oborrit të saj. Kjo ka qenë deklarata e deputetit socialist Fatmir Toçi për ligjin e njohur si "toka e takon atij që e punon". Në komunikimin me mediat deputeti Toçi tha se në këtë ligj arrihet në absurdin ku edhe dhënia me qira nga ana e shtetit të tokës së privatit do të bëhet pa dijeninë dhe aprovimin e të zotit të pronës bujqësore. Sipas Toçit, me këtë ligj sekserët e tokave të lidhura me qeverinë do të kenë mundësinë të grabisin shqiptarët me mbështetjen e paskrupullt ligjore nga qeveria Berisha.
"PS është sot dhe do të jetë gjithmonë përkrah njerëzve të sulmuar nga shteti për interesa të një grupi që kërkon të mbretërojë në këtë vend, si dhe duke qenë përkrah tyre në protestën mbarëpopullore për mbrojtjen e tokës, të pronës dhe të ardhmes sonë të përbashkët", përfundoi ai.